Kërko

1. Kapela e Varrezave të Rrmajit pipe 2. Muzeu Ateist pipe 3. Shenjtorja e Zojës së Këshillit të Mirë pipe4. Xhamia e Fushë Çelës (Ebu-Bekr) pipe5. Kisha e Kongregatës së Motrave Stigmatine pipe6. Xhamia e Parrucës pipe 7. Katedralja e Shën Shtjefnit pipe 8. Manastiri i Shën Kjarës pipe 9. Kisha e Zojës Rruzare pipe 10. Teqeja e Kasëm Ali Sulltanit pipe 11. Kisha e Shën Nikollës pipe 12. Kompleksi i Jezuitëve pipe 13. Kisha e Shën Rrokut (Shirokë) pipe 14. Kisha e Shën Françeskut pipe 15. Xhamia e Plumbit

Kapela e Varrezave të Rrmajit

Është një kapelë(kishë e vogël) në periferi të qytetit e ndërtuar nga Ing. Ludovik Zojzi, në vitin 1937. E gjithë hapësira gjendet pranë Lumit Kir dhe njihen si varreza katolike që në vitin 1600. Në vitin 1967 këto varreza mbyllen dhe kapela kthehet në magazinë. Në territorin e këtyre varrezave, pranë murit anësor në kufirin lindor të tyre, janë ekzekutuar me pushkatim shumë kundërshtarë të regjimit komunist, sidomos klerikë.

 

 

 

Muzeu Ateist

Shqipëria renditet vendi i parë në botë që ka pasur një muze ateist. Më 10 korrik 1968 u inagurua në Shkodër ekspozita ateiste me titull "Mbi rolin reaksionar të fesë" e cila qëndroi e hapur për 5 vje dhe shërbeu dhe si ekspozitë shëtitëse duke shkuar në fshatra, malësi dhe zona industriale për të bërë propagandë antifetare. Më 9 Qershor 1973, ekspozita u shdërrua në "Muze Ateist" me propagandë antifetare. Në hyrje të muzeut u vendos citati i Marksit: "Feja është opium për popullin".Në stendat e secilit pavion ishin ekspozuar, dokumenta, foto, materiale të ndryshme që synonin të evidentonin rolin armiqësor dhe reaksionar të klerit, sidomos atij katolik, si shërbëtor i Vatikanit dhe i imperializmit. Po ashtu ky muze kishte edhe një ekspozitë lëvizëse të përbërë nga 23 stenda, e cila ekspozohej në zona të ndryshme jo vetëm të Shkodrës, por edhe Shqipërisë.

Muzeu Ateist qëndroi i hapur deri më 13 dhjetor të vitit 1990.

 

Shenjtorja e Zojës së Këshillit të Mirë

Është një kishë e ndërtuar në themelet e kishës së vjetër dedikuar kultit të Zojës, mjaft të përhapur në zonën e Shkodrës. Ndërtimi i saj është bërë në vitin 1917 nën mbikëqyrjen e Perandorisë Austro-Hungareze. Në vitin 1967 nën frymën shkatërruese që përfshiu të gjitha objektet e kultit, përveçse u shkatërrua ndërtesa, u nxorën dhe u hodhën në lumin aty pranë mbetjet e Arqipeshkvit të Shkodrës, Jak Serreqi, që kishte qenë i varrosur brenda kishës. Në vitin 1993, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Papa Gjon Pali II, bekon gurin e parë të themelit dhe fillon rindërtimi i saj.

 

 

Xhamia e Fushë Çelës (Ebu-Bekr)

Xhamia e Fushë Çelës (Ebu-Bekr) është xhamia kryesore e Shkodrës, e vendosur në qendër të qytetit. Xhamia e Fushë Çelës, e ndërtuar gjatë sundimit osman dhe e shkratërruar gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, kishte në shekujt e mëparshëm një rëndësi të madhe për Shkodrën dhe rrethinën e saj: xhamia e dikurshme ishte një nga xhamitë më të bukura të Shkodrës si dhe ndër më të vizituarat. Xhamia e re është ndërtuar në vitet 1994-1995 në vendin e xhamisë së dikurshme të Fushë Çelës dhe është emëruar sipas Ebu Bekrit (572–634), kalifit të parë pas profetit Muhammed.

 

 

Kisha e Kongregatës së Motrave Stigmatine

Është një kishë e vogël e projektuar dhe ndërtuar nga Atë Gjergj Fishta në vitin 1927, në Gjuhadol të Shkodrës. Ngjitur me kishën ndodhej kuvendi dhe shkolla femërore, e cila ofronte formim për të gjitha vajzat, pa dallim besimi fetar. Kisha në vitin 1967 sekuestrohet nga shteti dhe kthehet në qendër rinore, për takime apo evente të ndryshme. Në vitin 1968 në këtë kishë zhvillohet një ndër gjyqet më famëkëqij të diktaturës komuniste kundër klerikëve katolikë. Gjatë atij gjyqi jepen dy dënime me vdekje dhe disa të tjera me vite të shumta burgimi.

Do të kujtojmë këtu edhe Marije Kaletën, murgeshën katolike që frymëzoi Papa Franceskun me historinë e saj duke guxuar të dali kundër regjimit komunist e duke praktikuar besimin e saj në fshehtësi edhe gjatë diktaturës. Nën diktatktorin Enver Hoxha, qeveria e të cilit i deklaroi te paligjshme te gjitha fete në përpjekjen e saj për të krijuar nje shtet krejtësisht ateist, ajo rrezikoi jetën e saj duke pagëzuar fëmijët dhe duke u qëndruar pranë të sëmurëve dhe atyre në shtatin e vdekjes. Momenti më i bukur për të ishte vitit 1991 kur u rihapën kishat. Ajo e kishte pritur shumë këtë moment.

 

Xhamia e Parrucës

Është një xhami në lagjen historike Parrucë, të Shkodrës. Xhamia e re u ndërtua në 1937, dhe ishte ndër monumentet më të rëndësishme kulturore të Shkodrës. Ishte ndër xhamitë më të bukurat në Shqipëri. Kësaj ndërtese të iu shtuan edhe shumë stoli dhe dekorime të brendshme. Për realizimin e tyre ndihmuan edhe disa mjeshtra italianë, të cilët pikturuan pjesën e brendshme të xhamisë, ndërsa për pjesën artistike të minareve u angazhua vullnetarisht kaligrafi Shefqet Kraja. U shkatërrua nga fundi i vitit 1967, si rrjedhojë e fushatës anti-fetare komuniste. Punimet për rindërtimin e saj përfunduan në vitin 2006, ndërsa inagurimi u realizua në vitin 2007.

 

Katedralja e Shën Shtjefnit

Kishë e ndërtuar në vitet 1858-1865. Bashkë me Pallatin e Arqipeshkvisë sekuestrohen nga shteti komunist në vitin 1967. Kisha shndërrohet në pallat sporti, për lojërat me dorë, sallë eventesh apo mbledhjesh, ndërsa pallati gjatë viteve ka shërbyer edhe si shtëpi për oficerë partie, pastaj si hotel për akomodimin e sportistëve. Më 7 mars 1991 celebrohet mesha e parë me praninë e Nënë Terezës dhe mijërave besimtarëve. Në atë ditë kisha dhe i gjithë territori përreth i kthehet komunitetit katolik.

 

 

Manastiri i Shën Kjarës

 

Është një manastir në të cilin jetojnë Motrat Klarise. Në këtë godinë, e cila është pronë e Provincës Françeskane nga viti 1930 ishte e vendosur Kolegja Serafike. Godina u sekuestrua nga shteti në vitin 1946 dhe u shndërrua në Degën e Punëve të Brendshme, organ i varur nga Ministria e Brendshme. Ishte vendi më i tmerrshëm për qytetin dhe qytetarët e Shkodrës, pasi në pjesën fundore të territorit u ndërtuan dhe qelitë e paraburgimit, të njohura në gjuhën popullore si "biruca". Kundërshtarët politikë, të cilësuar si të tillë nga regjimi diktatorial komunist ishin të mbyllur në këto qeli, ku tortura fizike dhe psikologjike ka qenë e përdorur gjatë gjithë kohës. Pas vitit 1998, prona i rikthehet Provincës Françeskane dhe që nga viti 2014 në një pjesë të saj është hapur për publikun Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës, i pari muze-memorial në Shqipëri, që i kushtohet kujtesës historike të vendit tonë.

 

Kisha e Zojës Rruzare


Kishë e ndërtuar në vitin 1934 në lagjen Arra e Madhe, bashkë me Kuvendin janë dy objekte të rëndësishme të Provincës Françeskane. Gjatë përiudhës së regjimit komunist, kuvendi u shndërrua në konvikt, ndërsa kisha në depo kripe në shërbim të Fabrikës së Mëndafshit. Altari i madh i kishës prej druri i punuar mjeshtërisht në Austri, u përdor nga propaganda komuniste për të xhiruar filmate dhe dokumetare fyese karshi klerit. Pas vitit 1991 kisha iu kthye komunitetit katolik.

 

 

Teqeja e Kasëm Ali Sulltanit

Objekt kulti i tarikatit Halveti-Nakshibendi, në krahun e djathtë në hyrje të qytetit të Shkodrës, në fundin e urës së re të Bahçallekut.

 

 

 

 

Kisha e Shën Nikollës

Kishë e projektuar dhe ndërtuar nga Don Ndre Mjeda dhe pas vdekjes së tij nga Atë Gjergj Fishta, i cili ishte dhe arkitekti zyrtar i Arqipeshkvisë së Shkodrës. Për realizimin e punimeve u mor drejtëpërdrejtë Kolë Idromeno. Kisha ruante stilin klasik të rilindjes italiane, të gërshetuar me elementë të arkitekturës helene. Në vitin 1967 kisha mbyllet dhe kthehet për një periudhë të shkurtër në palestër sportive. Më pas ajo shkatërrohet plotësisht në mënyrë brutale, pasi për shkatërrimin e saj janë përdorur dhe tanket e ushtrisë. Kisha e re e Shën Nikollës u rindërtua dhe inagurimi i saj u bë në vitin 2008.

 

 

Kompleksi i Jezuitëve

Bëhet fjalë për një territor me disa godina të tjetërsuara apo shkatërruara nga shteti gjatë diktaturës komuniste. Jezuitët u vendosën në Shkodër në gjysmën e dytë të shek. XIX, ku me kalimin e viteve ndërtuan dhe hapën Kolegjin Saverian, Seminarin Papnor, Kishën e Shën Jozefit, Teatrin, Muzeun, Bibliotekën, Laboratorë didaktikë, Observator Astronomik dhe jetimore. I gjithë ky kompleks u sekuestrua në vitin 1946, ku godina e seminarit u kthye në konvikt me emrin “Safet Spahia”, godina e kolegjit në shkollë me emrin “11 Janari”, ndërsa godinat e tjera u shkatërruan plotësisht. Pas vitit 1990, prona iu rikthye Jezuitëve, ku Seminari vazhdon të ketë funksionin e tij, ndërsa shkolla është rindërtuar dhe mban emrin e jezuitit të madh Atë Pjetër Meshkalla.

Nuk i shpëtuan kthetrave të diktaturës as Kisha e Shën Rrokut dhe e Shën Franceskut duke pësuar një sërë transformimesh dhe poshtërimesh.

Kisha e Shën Rrokut (Shirokë)

Kishë e projektuar dhe ndërtuar nga mjeshtri dhe arkitekti Kolë Idromeno, i cili përfundon punimet në vitin 1906. Në vitin 1967 kisha u mbyll dhe u shndërrua në qendër kulture dhe magazinë. Ndërtesa u nda në 2 kate. Në katin e parë u krijuan 8 dhoma, të cilat shërbenin si qendra për grumbullimin e sherbelës, ndërsa kati i dytë shërbente si sallon i madh për mbledhje partie apo festa të ndryshme. Pas rënies së komunizmit, kisha iu rikthye komunitetit katolik.

 

 

 

 

 

Kisha e Shën Françeskut


Është një kishë e ndërtuar në fillim të shek. XX, ku bashkë me kuvendin përbëjnë qendrën e Provincës Françeskane Shqiptare Kuvendi Françeskan u sekuestrua nga shteti në vitin 1946 dhe shërbeu për një periudhë kohe si burg për kundërshtarët e regjimit, pastaj me kalimin e viteve një pjesë e tij edhe si shkollë. Në të gjendej biblioteka, ndër më të pasurat në vend, e cila u shkatërrua plotësisht. Në vitin 1967 mbyllet edhe kisha, e cila shndërrohet në Kinema "Punëtori" dhe si e tillë shërben deri në vitin 1991. Në vitin 91’ i gjithë kompleksi i rikthehet franceskanëve duke numëruar dëme të panumërta.

 

Xhamia e Plumbit

Është një xhami historike dhe monument kulture i kategorisë së parë në Shkodër. E ndërtuar më 1773-1774, është ndërtesa më karakteristike e asaj periudhe dhe xhamia me arkitekturë osmane më e madhe në të gjithë Shqipërinë. Përveç vlerave historike dhe kulturore, kjo xhami ka dhe vlera të rëndësishme shpiërtërore, pasi ajo shërbeu në fillimet e tranzicionit shqiptar si një ndër xhamitë e para, ku besimtarët myslimanë filluan ritet fetare të ndaluara për disa dekada nga regjimi komunist. Pas shumë përpjekjesh dhe përgatitjesh më 16 nëntor 1990, u krye falja nga besimtarët myslimanë në drejtimin e Hafiz Sabri Koçit.

 

 
Sherbime dhe kontakte
Adresa

Rruga 13 Dhjetori, Nr. 1, Shkodër, Shqipëri

e-mail: info@bashkiashkoder.gov.al

Copyright 2021 - © Bashkia e Shkodrës