Karakteristikat gjeografike
Bashkia Shkodër shtrihet në veriperëndim të Shqipërisë në një territor prej 873 km², i cili kufizohet në veri me Bashkinë e Malësisë së Madhe, në perëndim me Malin e Zi, në lindje me Bashkinë Tropojë, në jug me Bashkinë Vau i Dejës dhe me Bashkinë Lezhë.

Bashkia e Shkodrës përbëhet nga 11 njësi të qeverisjes vendore, (Shkodër, Ana e Malit, Bërdicë, Dajç, Guri i Zi, Postribë, Pult, Rrethinat, Shalë, Shosh dhe Velipojë).
Qyteti i Shkodrës ndodhet në veriperëndim të Shqipërisë. Në veriperëndim të tij ndodhet Liqeni i Shkodrës, i cili me nje siperfaqe prej 368 km² është liqeni më i madh në Ballkan. Nga ky liqen buron Lumi Buna (44 km), i cili derdhet në detin Adriatik dhe rrjedha e poshtme e te cilit ndan kufirin me Malin e Zi.Lumi Buna bashkohet me lumin Drin rreth 2 km në jugperëndim të qytetit.
Nga ana lindore qyteti kufizohet me Lumin Kir, i cili buron nga Malësitë e Veriut dhe është 43 km i gjatë. Ky lum derdhet në Lumin Drin që rrethon Shkodrën nga ana jugore. Pjesa kryesore fushore e qytetit sot ka një shtrirje prej 1,150 ha, ndërsa pjesa kodrinore ka një shtrirje prej 350 ha.

Në qytet përfshihen edhe tre lagje periferike:

Bahçalleku në jug, Shiroka dhe Zogaj në perëndim, të cilat zënë gjithsej një sipërfaqe prej 180 ha. Shkodra nga ana lindore dhe jugore rrethohet nga një varg kodrash deri në 110 m lartësi, kodrat e Rrencit në lindje dhe të Tepes në jug. Në jugperëndim gjendet kodra shkëmbore e kalasë së Rozafës me lartësi 130 m dhe sipërfaqe 3.6 ha. Rreth 30 km në juglindje ndodhet bregdeti Adriatik me Plazhin e Velipojës. Nga veriu dhe veriperëndimi shtrihet Fusha e Mbishkodrës përtej të cilës fillojnë Alpet e Shqipërisë, përkatësisht, Jezerca (2.694 m) dhe Radohima (2.570 m).
Në pjesën veriore të qytetit Shkodër ndodhet Njësia Administrative Rrethina me sipërfaqe 47,05 km². Kufizohet në Veri me Nj.A. Gruemirë të Bashkisë Malësi e Madhe, në Jug me qytetin Shkodër dhe Njësinë Administrative Guri i Zi, në Lindje me njësinë administrative Postribë dhe në Perëndim me Liqenin e Shkodrës.Territori i njësisë përshkohet nga rrugët nacionale Tiranë - Hani i Hotit dhe Shkodër - Muriqan.

Kjo zonë bën pjesë pothuajse krejtësisht në Fushën e Mbishkodrës, në pjesën jugore të saj (fusha më e vogël e Shtojit) që do të thotë se ka një reliev kryesisht fushor, përjashtim bën fshati Zues, i cili shtrihet në pjesën më skajore të malit të Taraboshit, pranë lumit Buna. Duke u nisur nga shtrirja e saj, njësia administrative Rrethina ofron mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit lumor, liqenor,dhe agroturizmit.Aktivitetet kryesore në këtë zonë janë të lidhura me vreshtarinë dhe fruta-perimet. Afërsia me liqenin ka nxitur edhe peshkimin.
Njësia Administrative Shalë me sipërfaqe 215,05 km², kufizohet në veri me Kosovën, në jug me Njësinë Administrative Shosh dhe Lekbibaj të Tropojës, në lindje me Tropojën dhe në perëndim me Njësinë Administrative Pult dhe Malësinë e Madhe.

Kjo njësi administrative përfshin Parkun Kombëtar të Thethit, si aseti natyror më tërheqës në Qarkun Shkodër dhe më gjerë. Zona e Thethit ka një sipërfaqe prej 2.630 ha,nga të cilat 1.680 hektarë janë pyje dhe pjesa tjetër janë kullota dhe sipërfaqe shkëmbore. Thethi ndodhet rreth 70 km larg qytetit të Shkodrës, në pjesën veriore të Shalës. Ai ndodhet 740-950 metra mbi nivelin e detit dhe rrethohet nga Alpet Shqiptare, me një lartësi deri në 2.694 metra të malit Jezercë. Thethi ka rreth 70 burime ujore, me cilësi të lartë të ujit dhe të pastërtisë. Flora dhe fauna e zonës janë mjaft të pasura, me 1100 lloje bimësh, që përbëjnë gati 1/3 e specieve bimore në vend.
Thethi është interesant për atraksionet e tij kulturore, siç janë ndërtimet e veçanta të quajtura “Kulla”, karakteristike për zonat malore të Shqipërisë Veriore. Ai është pjesë e projektit të Parkut të Paqes në Ballkan, i cili synon të lehtësojë krijimin e një parku transkombëtar, ndërkufitar në malet e Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë Veriore si simbol paqeje dhe bashkëpunimi.
Njësia Administrative Pult me një sipërfaqe rreth 122.9 km² kufizohet në veri me Njësinë Administrative Shalë dhe Bashkinë Malësi e Madhe, në jug me Njësinë Administrative Postribë dhe Shllak, në lindje me Njësinë Administrative Shosh, në perëndim me Njësinë Administrative Gruemirë.

Kjo njësi mbart një biodiversitet të pasur, me lloje drurësh si pisha, ahu dhe bredhi që krijojnë pyje të lartë, si dhe shkurre të shumëllojshme, të cilat krijojnë peisazhe tërheqëse. Njësia Administrative Pult ka një pyll gështenjash prej 4000 hektarë dhe lajthie prej 3000 hektarë, në të cilën ndodhet edhe “Gështenja e Mgullit” në moshë mbi 180 vjeçare. Ajo mbart vlera shkencore biologjike, ekologjike dhe kulturore. Njësia Administrative Pult ofron një potencial të lartë për zhvillimin e aktiviteteve turistike malore, të cilat mund të organizohen gjatë stinës së ftohtë të dimrit (turizmi i bardhë), dhe gjatë stinës së ngrohtë (turizmi i gjelbër). Produktet tipike të kësaj njësie janë kërpudhat,frutat e pyellit,gështenja,bimët medicinale, etj.
Njësia Administrative Shosh, me një sipërfaqe rreth 95.24 km². Kjo njësi kufizohet në veri me Njësinë Administrative Shalë, në jug me Njësinë Administrative Shllak dhe Temal në lindje me Njësinë Administrative Pult dhe në perëndim me Bashkinë Vau i Dejës dhe Tropojë. Falë resurseve natyrore, pozitës gjeografike, klimës si dhe popullsisë mikpritëse, Shoshi ofron potenciale të mëdha për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të turizmit dhe agroturizmit. Bujqësia dhe produktet bujqësore përbëjnë aktivitetin më të rëndësishëm ekonomik për popullsinë vendase. Produktet tradicionale të zonës janë djathi, qumështi, dhe nënproduktet e tij, produktet e mishit, mjalti, boronicat dhe bimët mjekësore. Në zonë janë të pranishme shpella dhe rrëpira shkëmbore të shkallëzuara të njohura ndryshe si rrasat e Palajt. Ato kanë vlera shkencore gjeomorfologjike e gjeologjike, didaktike dhe turistike.
Në verilindje të qytetit të Shkodrës, në të ashtuquajturën Zona e Mbishkodrës, ndodhet Njësia Administrative Postribë me një sipërfaqe rreth 110,9 km².

Postriba kufizohet në veri me njësinë administrative Pult, në veriperëndim me Njësinë Administrative Gruemirë të Bashkisë Malësi e Madhe, në jugperëndim me Njësinë Administrative Rrethina, në jug me Gurin e Zi, në lindje me Njësinë Administrative Shllak. Rreth 80% të sipërfaqes e zënë kodrat dhe malet, ndërsa vetëm rreth 20% shtrihet në zonën fushore.
Baza ekonomike e saj është blegtoria, sidomos në zonën malore të saj, ndërsa në zonën fushore përparësi kishte bujqësia, kryesisht drithërat e bukës, perimet. Lartësitë ekstreme të Postribës janë maja e Cukalit me 1722 m dhe Lugina e Shtodrit 37 m mbi nivelin e detit. Lartësia mesatare e zonës është 575 metra mbi nivelin e detit. Malet e larta që shtrihen në dy anët e lumit Kir formojnë atë që quhet kanioni i Urës së Shtrejtë. Ky kanion është krijuar nga gërryerja në thellësi e lumit Kir dhe ka një gjatësi rreth 800 m. Mbi lumin Kir është ndërtuar Ura e Mesit rreth shek. të 18-të e.r e cila përfaqëson një atraksion turistik për vizitorët vendas dhe të huaj.
Në juglindje të qytetit të Shkodrës, përgjatë rrugës rajonale Shkodër – Vau i Dejës ndodhet Njësia Administrative e Gurit të Zi, me një sipërfaqe prej rreth 81.7 km².

Shtrirja gjeografike e Njësisë Administrative e Gurit të Zi është përqëndruar në fshatrat kodrinore dhe fushore në perëndim dhe më pak në zonat lindore,përgjatë brigjeve të liqenit artificial Vau i Dejës. Ajo kufizohet me Njësitë Administrative Postribë, Shllak,Bushat, Berdicë dhe Shkodër. Guri i Zi dallohet për shumëllojshmërinë dhe cilësinë e burimeve të ujit të pijshëm të cilat gjenden kryesisht në shpatet perëndimore dhe jugore të kodrave. Njësia administrative përshkohet në pjesën juglindore të saj nga rruga automobilistike nacionale Shkodër – Pukë – Kukës – Kosovë.Zona dallohet për ruajtjen dhe zhvillimin e shumë kulturave bimore e drurëve frutore. Kjo zonë mbart vlera të veçanta arkeologjike dhe historike. Ekzistenca e pikave të veçanta me vlera turistike si Kalaja e Gajtanit,Kalaja e Ganjollës,Ishulli i Shurllahut(Sarda) etj.
Në jug-perëndim të qytetit të Shkodrës, në një distancë prej 6 km larg qendrës së saj ndodhet Njësia Administrative Ana e Malit me njësipërfaqe rreth 44 km².

Ajo kufizohet në veri dhe verilindje me qytetin e Shkodrës, në perëndim me Malin e Zi, në jug dhe juglindje me lumen Buna në një gjatësi prej 17 km . Ana e Malit është kufitare me Malin e Zi dhe portë hyrëse nëpërmjet pikës doganore të përbashkët Mali i Zi - Shqipëri, pranë fshatit Muriqan. E gjithë zona disponon burime natyrore, ujore e mjedisore të konsiderueshme.
Në pjesën jugore të qytetit ndodhet Njësia Administrative Bërdicë me një sipërfaqe prej 31.02 km². Njësia administrative Bërdicë kufizohet në veri me qytetin Shkodër, në jug me njësinë administrative Bushat, në lindje me lumin Drin dhe në perëndim me Njësinë Administrative Ana e Malit dhe Dajç.Bujqësia dhe blegtoria janë sektorët kryesorë të zhvillimit në Bërdicë. Toka është pjellore dhe kjo i jep mundësi rritjes së të gjithë kulturave bujqësore të hershme dhe të vonshme.
Njësia Administrative Bërdicë ka një produktivitet të madh në perime dhe rreth 2.379 hektarë tokë bujqësore të cilësisë së lartë .Prodhime tipike të zonës janë domatet, patatet, shalqini, rrushi etj.Pjesa më e madhe e popullsisë së Bërdicës është e varur nga sektori i bujqësisë.
Në pjesën jugperëndimore të qytetit të Shkodrës, në një distancë rrugore prej 22 km larg qendrës së saj ndodhet Njësia Administrative Dajç.

Kjo njësi kufizohet në veri dhe veriperëndim me lumin Buna dhe përtej saj me Njësinë Administrative Ana e Malit, ndërsa një pjesë e saj është në kufi me Malin e Zi. Në pjesën lindore dhe juglindore kufizohet me Njësinë Administrative Bërdicë dhe Bushat, ndërsa në jug me Njësinë Administrative Velipojë. Dajçi ka një shtrirje relativisht të madhe, prej 36.52 km² dhe thuajse e gjithë kjo sipërfaqe është tokë bujqësore me vlera të mira prodhuese. Zona e Dajçit disponon burime natyrore, ujore e mjedisore të konsiderueshme. Lumi Buna përbën një ndër elementet me vlera të mëdha natyrore që gjenden në Dajç. Aktivitetet kryesore ekonomike të viteve të fundit në këtë njësi janë bujqësia dhe blegtoria. Lumi Buna përbën një ndër elementet me vlera të mëdha natyrore që gjenden në Njësinë Administrative Dajç. Larmia e llojeve të kafshëve ujore, sidomos e llojeve të ndryshme të peshqve dhe larmia e popullatës së shpendëve, plotësojnë ekosistemin natyror dhe janë premisa për zhvillimin e turizmit dhe peshkimit në Lumin Buna.
Në jug të qytetit Shkodër në një distancë prej 25 km larg qëndrës së saj ndodhet Njësia Administrative Velipojë me një sipërfaqe rreth 72,4 km².

Kjo njësi kufizohet në veriperëndim nga Mali i Zi përgjatë lumit Buna, në lindje nga Qarku i Lezhës, në veri nga Njesia Administrative e Dajçit dhe në jug nga deti Adriatik.Pozita e favorshme gjeografike ku ndërthuren deti dhe lumi, laguna dhe rezervati natyror, fushat pjellore,kënetat dhe pyjet, kodrat dhe malet i japin kësaj njësie administrative një mundësi të madhe për zhvillimin e turizmit detar, lumor dhe malor, të peshkimit dhe të gjuetisë, të zhvillimit të kulturave të ndryshme bujqësore dhe të blegtorisë. Përmendim këtu plazhin me gjatësi 14 km gjërësi rreth 300 m, Ligatinën e Velipojës (grykëderdhjen e lumit Buna ku përfshihen 4 moçale të cekëta dhe këneta e Domjes), Rezervatin e Velipojës (700 ha, shtrihet në deltën e lumit Buna, rreth 8 km larg nga Velipoja, Ishulli i Franc Jozefit, Laguna e Vilunit, plazhi i Baks-Rrjollit.