Kërko

Zinxhirët e vlerave

Në  territorin administrativ  të Bashkisë janë identifikuar shumë varietete të mjaltit (gështenjë, tërfil, shqopë, trumzë mali, trumzë e butë dhe sherebelë), së bashku me varietete të ndryshme të mjaltit nga shumë lloje lulesh.

zinxhiri i vlerave te bletes

Gjithashtu bletarët  prodhojnë propolis, xhelatinë mbretërore, polen, dyllë blete me vlerë të lartë të cilat vlerësohen shumë në treg. Por prodhimi është i vogël, nëse krahasohet me potencialet rajonale të prodhimit të qëndrueshëm, kryesisht për shkak të instrumenteve të vjetra të përdorura. Për Bashkinë Shkodër, sasia e prodhimit në treg të mjaltit është: Bërdicë (66 kv), Dajç (16 kv), Postribë (56 kv).
Zinxhiri i vlerave të peshkut
Shkodra është e pasur në ujëra, përfshirë ujërat bregdetare dhe tokësore, të cilat janë të përshtatshme për zhvillimin e peshkimit dhe akuakulturës. Peshkimi zë një vend të rëndësishëm në ekonominë e popullsisë. Popullsia lokale e zonave rreth Liqenit e Lumit Buna, por edhe në zonën e Lagunës së Vilunit merren me peshkim për konsum familjar dhe tregtim. Vetëm në liqenin e Shkodrës çdo vit zihen mbi 13.000 kv peshk. Në Shkodër ekzistojnë disa varietete endogjene të peshkut të ujërave të ëmbla të tilla si: ngjalla (Anguilla), krapi (Cyprinus carpia), gjuca (Alburnus alborela), qefulli (Mungil Cephalus), kubla (Alasa fallas nilotica) dhe varietete të ujrave të kripura, si të detit Adriatik. Në male janë identifikuar aktivitete të mbarështimit të peshkut të ujërave të ëmbla, në afërsi të lumenjve dhe baseneve artificiale.

Sistemi i prodhimit pyjor
Pyjet janë një mjedis i mirë për prodhimin e produkteve të vlefshme organike. Në Bashkinë Shkodër mund të shfrytëzohen bimet medicinale si sherebelë, trumzë, dëllinjë e kuqe dhe prodhime të dyta pyjore si gështenja, lëndë lisi, bohçe pishe etj.
Pyjet e zonës janë shfrytëzuar për lëndë për ngrohje por edhe si material ndërtimi. Të gjitha produktet pyjore janë të një cilësie të lartë, për shkak të karakteristikave dhe kushteve të mira mjedisore të zonave të prodhimit. Zonat e Pultit, Shalës dhe Shoshit mbartin një biodiversitet të pasur, me lloje drurësh si pisha, ahu dhe bredhi që krijojnë pyje të larta, si dhe shkurre të shumëllojshme.
Zinxhiri i vlerave të verës dhe  të pijeve alkoolike
Prodhimi i këtyre pijeve është i vogël në krahasim me mundësitë rajonale.

zinxhiri i pijeve alkolike

Shumica e produkteve të zinxhirit të vlerave shiten me çmime të qëndrueshme për tregjet lokale. Të gjitha pijet janë të një cilësie shumë të mirë, falë teknikave të përpunimit  që përdoren.  Rritja e prodhimit të rrushit dhe verës është një potencial  i madh zhvillimi. Njësitë Administrative  Rrethina, Ana e Malit, Dajç dhe Guri i Zi janë të orientuara në prodhimin e vreshtarisë.
Barishtet dhe  bimët industriale
Zinxhiri i vlerave të bimëve industriale nis nga kultivimi i bimëve dhe arrin deri te komercializimi përfundimtar i produkteve të freskëta, të papërpunuara dhe të përpunuara. Bimët tërfili, livanda, nenexhiku, trumza e malit, çaji i malit, rigoni, trumza e butë mblidhen kryesisht në zonat malore Shalë, Shosh, Pult. Në këto zona njihet prodhimi i panxharit, duhanit, etj. Prodhimet e bimëve të kultivuara janë të pakta, krahasuar me potencialet rajonale të prodhimit të qëndrueshëm. Aktivitetet e biznesit të grumbullimit apo të përpunimit të këtyre bimëve janë akoma të limituara. Numërohen rreth 9 biznese të vogla dhe individë që punojnë për grumbullimin dhe tharjen e bimëve mjekësore si sherebela, çaji i malit, apo eterovajoret. Përpunimi i tyre në territorin e Bashkisë Shkodër mbetet sfidë për mungesë të teknologjive dhe kapaciteteve të përpunimit.

Zinxhiri i vlerave të frutave dhe  perimeve
Në vendin tonë mund të gjendën shumë vari- etete frutash dhe perimesh. Këtu mund të gjenden varietete tipike si shegë, pjeshkë, fiq, kumbulla, rrush, dardha, qershi të vendit. Për sa u përket perimeve gjenden bamje (Hibiscus esculentus), qepë të Drishtit, speca dhe patëllxhanë të Oblikës, domate dhe kunguj të Postribës etj.Produktet e përpunuara të identifikuara janë lloje te ndryshme reçeli, lëng dhe varietete të zakonshme frutash të thata, perime të konservuara, turshi etj. Njësitë administrative që kultivojnë një numër të konsiderueshëm të llojeve të perimeve janë Rrethina, Gur i zi, Ana e Malit, Postriba. Ndërmjet tyre vlen të përmendim NJ.A Gur i Zi, e cila realizon 42% të prodhimit të perimeve në nivel bashkie. Përsa i përket prodhimit të frutave NJ.A Rrethina realizon rreth 46% të volumit të përgjithshëm të frutave të prodhuara në nivel Bashkie.
Zinxhiri i vlerave të ullirit
Zinxhiri i vlerave të ullirit nis me aktivitetet e kultivimit të tij dhe arrin deri të komercializimi përfundimtar i produkteve.Prodhimi i vajit të ullirit realizohet kryesisht për përdorim familjar.
Zonat me kapacitet prodhues më të lartë (për rrënjë) janë: Postriba,  Rrethina, Ana e Malit, Guri i Zi, Bërdicë, Velipojë. NJ.A Postribë për prodhimin e ullinjve, ofron rreth 43% të sasisë së prodhuar në nivel bashkie.

Zinxhiri i vlerave të qumështit
Qumështi i freskët i papërpunuar prodhohet nga lopët, delet dhe dhitë. Nga të dhënat e mbledhura në Drejtorinë e Bujqësisë, Bashkia Shkodër, rezulton se qumështi i lopës prodhohet në sasi më të mëdha se qumështi i deles dhe i dhisë.
Pjesën më të madhe të prodhimit në nivel bashkie e zë NJ.A Dajç me 26%, ndjekur nga Bërdica  (23%), Ana e Malit (16%) dhe Postriba  (11%). Marketingu  i qumështit dominohet nga shitja direkte e qumështit tek konsumatori dhe nga shitja e qumështit të pasterizuar nëpërmjet baxhove dhe dyqaneve. Aktualisht ushtrojnë veprimtarinë e tyre përpunuese 21 baxho.

 

 
 
Sherbime dhe kontakte
Adresa

Rruga 13 Dhjetori, Nr. 1, Shkodër, Shqipëri

e-mail: info@bashkiashkoder.gov.al

Copyright 2018 - © Bashkia e Shkodrës