Kërko

Zhvillimi ekonomik

Një nga parimet bazë të shoqërive demokratike është ajo e funksionimit të tregut të lirë ku thelbi i këtij parimi bazë është që bisnesi do të qeveriset, do të funksionojë mbi bazën e ligjeve të kërkesë ofertës dhe jo nga kontrolli dhe planifikimi i centralizuar apo ndërhyrjeve qeveritare nëpërmjet krijimit të rregullave të caktuara favorizuese apo subvencionimit të bizneseve individuale apo një grupi të caktuar të tyre.
Një nga përgjegjësitë tona kryesore si qeverisje lokale është ajo e zhvillimit ekonomik.
Ngritja e infrastrukturës së nevojshme rregullatore dhe administrative, nxitja e zhvillimit të biznesit dhe iniciativës për investime, japin siguri për një zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje të standardeve të jetesës së qytetarëve.
Krijimin e një klimë optimiste dhe inkurajuese për biznes në Shkodër, në bashkëpunim e partneritet me aktorët e biznesit, e konsiderojme shumë te rëndësishme për zhvillimin ekonomik të qytetit.
Investime të fuqishme janë realizuar në qytetin tonë në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore, furnizimit me energji elektrike, telekomunikacionit si dhe infrastrukturës nëntokësore si furnizim me ujë të pijshëm, sistemit të kuz dhe kub.
Një nga synimet tona kryesore janë edhe Përmirësimi i klimës së biznesit, politikave dhe lehtësirave ndaj tij nëpërmjet: Thjeshtëzimit të procedurave dhe rregulloreve lidhur me biznesin. Rishikimi i formaliteteve, masave dhe shërbimeve lidhur me shërbimet ndaj tij, për të harmonizuar, strukturuar dhe thjeshtuar marrëdhëniet dhe ndërveprimin e bashkisë me biznesin.
Krahas gjërave të sipërcituara një komponente shumë e rëndësishme në mirëfunksionimin e bisnesit në një ekonomi të tregut të lirë është konkurrenca e ndershme e subjekteve ekonomike që operojnë në treg në raport me njeri tjetrin, konsumatorin etj.
Politikat e konkurrencës duhet të përbëjnë thelbin e politikave të zhvillimit ekonomik, duke krijuar mundësinë e hyrjeve në treg të bizneseve të reja dhe realizimin e një konkurrence efektive midis lojtarëve.
Ne tashmë kemi identifikuar modelet e zhvillimit lokal, qoftë në nivelin e qytetit, qoftë në atë rajonal. Strategjia e Zhvillimit Ekonomik të Bashkisë Shkodër, si dhe Plani Rajonal Shkodër-Lezhë, ofrojnë mundësi të reja për shfrytëzimin e burimeve tona, që nga ato tradicionale e historike, natyrore e njerëzore.

Plani Rajonal Shkodër-Lezhë parashikon një kontekst zhvillimi ndërkufitar, nëpërmjet të cilit, Podgorica, Shkodra dhe Lezha formojnë një korridor zhvillimi.
Në këtë rast ne kemi ndër mend një konfiguracion që lidh Podgoricën me Shkodrën (a) në veri të Liqenit të Shkodrës përmes Koplikut, Bajzës dhe Tuzit dhe (b) në jug përmes Velipojës, Ulqinit, Barit dhe Virpazarit, duke formuar një rajon urban policentrik ndërkufitar. Në parim, ky Plan synon sigurimin e trojeve tërheqëse për investime të tipeve të ndryshme të biznesit, me akses rrugësh e shërbime publike.
Shkodra përfaqëson një nga polet kryesore të zhvillimit në rajon, me zgjerim të mundshëm të parashikuar në tre akse kryesore: Shkodër – Koplik, Shkodër – Bushat, si dhe Shkodër – Vau i Dejës.  

Vetë qyteti i Shkodrës ofron disa zona për mundësi investimesh: 

  • Zona ekzistuese Industriale

Pas vitit 1990, në zonën industriale të Shkodrës ndodhën një sërë ndryshimesh të rëndësishme përsa i përket strukturës së biznesit, ashtu edhe pronësisë mbi tokën.
Aktivitetet tradicionale prodhuese, si prodhimi i telave dhe kabllove prej bakri, përpunimi i drurit, përpunimi i duhanit, apo industria mekanike, ia kanë lënë vendin industrisë tekstile dhe të këpucëve. Pothuajse gjysma e sipërfaqes, rreth 60 ha, është privatizuar, sigurisht duke kaluar në pronësi private edhe ndërtesat mbi këtë truall.
Megjithatë, zona e ruajti destinacionin e saj prodhues. Sot aty janë të vendosura 42 biznese të mëdha, ndër më kryesorët në qytet.
Duke parë rëndësinë e zonës për punësimin dhe krijimin e të ardhurave për qytetin, Bashkia Shkodër ka orientuar investimet e saj në përmirësimin e infrastrukturës së zonës.

  • Zona e Biznesit në Jug të qytetit të Shkodrës
    Parashikohet një qendër biznesi, ku do të ofrohen zyra, shërbime për biznesin, si dhe shërbime bankare dhe financiare. 
  • Liqeni i Shkodrës
    Bregu jugor në Shirokë dhe Zogaj paraqet një mundësi të madhe për zhvillimin e turizmit. Studimi hapësinor i bregut perëndimor të Liqenit të Shkodrës mundëson krijimin e një instrumenti bashkëkohor për administrimin, menaxhimin dhe kontrollin mbi territoret e kësaj zone, në mënyrë që të garantojë një zhvillim të qëndrueshëm në harmoni me biodiversitetin. Ky studim do t’i paraprijë e koordinojë zhvillimin e investimeve private e publike, duke përcaktuar zonat për zhvillimin e strukturave akomoduese, zonat rezidenciale, zonat rekreative dhe ato të shërbimeve.

 

 
Sherbime dhe kontakte
Adresa

Rruga 13 Dhjetori, Nr. 1, Shkodër, Shqipëri

e-mail: info@bashkiashkoder.gov.al

Copyright 2014 - © Bashkia e Shkodrës