Kërko
Këshillim me Publikun

Njoftim për këshillim me publikun për dhënien e pëlqimit për shitjen me ankand të aksioneve të Klubit të Futbollit "Vllaznia" sh.a në masën 100%

23.10.2020

Në mbështetje të nenit 113, pika 2 të ligjit nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë“, të ndryshuar; nenit 8, pika 2, nenit 9, pika 1, nënpika 1.1, shkronja „b“, nënpika 1.2, shkronja „a“, nenit 54 germa „e“ të ligjit nr.139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore“, i ndryshuar; ligjit nr.9901, datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar; Ligjit nr. 9874, dt. 14.02.2008 "Per ankandin publik", i ndryshuar; VKM me nr. 1719, dt. 17.12.2008 "Për miratimin e rregullave të ankandit publik", i ndryshuar; VKB nr.9, datë 26.08.2011 “Per miratimin e transferimit te Klubit të futbollit “Vllaznia” në shoqëri aksionare”, Bashkia Shkodër ka propozuar projekt vendimin për:

  1. Dhënien e pëlqimit për shpalljen për shitje të 100% të aksioneve që Bashkia Shkodër zotëron si aksionere e vetme në Shoqërinë Klubi i Futbollit “Vllaznia”. 
  2. Çmimi minimal i shitjes së 100% të kuotave është 50,794,000 (pesëdhjetë milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e katër mijë) Lekë. 
  3. Forma e shitjes së aksioneve që zotërohen nga Bashkia Shkodër në Shoqërinë Klubi i Futbollit “Vllaznia”, të bëhet nëpërmjet proçedurës konkurruese: Procedurë e Hapur Standard e Ankandit, sipas dokumenteve standarde tip të ankandit, bashkëngjitur këtij vendimi. 
  4. Proçedura e ankandit për shitjen e 100% të aksioneve, që zotëron Bashkia Shkodër, të nisë me vlerën 50,794,000 (pesëdhjetë milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e katër mijë) lekë.

Arsyet kryesore për këtë investim:

  • Interesi për pjesmarrje të investimeve private në futboll është rritur në vitet e fundit me rritjen e të ardhuarve nga të drejtat televizive, reklamat, tifozëria, mediat, trofetë, sponsorizimet.
  • Eksperiencat dominuese tregojnë se investimet në klubet e futbollit, përveç synimit për rritjen e fitimeve dhe kapitaleve të aksionerëve, motivohen edhe qëllimin e përfshirjes sociale dhe kontributeve për komunitetin ku ushtrohet biznesi apo ka interesa të caktuara.
  • Ky investim në sportin e Futbollit është një rast unik në Shqipëri, sepse KF Vllaznia sh.a. i përket një qyteti që njihet si themelues të futbollit në Shqipëri dhe ka një histori suksesi rreth 100 vjeçare,
  • Tregu privat i futbollit është i ri dhe dinamik, ku klubet private po shënojnë rritje në cilësinë dhe treguesit financiarë të futbollit;
  • Federata Shqiptare e Futbollit ka përmirësuar dukshëm standardet dhe rregullat për zhvillimin dhe mbikqyrjen e sportit të futbollit. 
  • Janë disa subjekte vendase dhe të huaja që kanë shprehur interesin për pjesëmarrje në investim, në rast të realizimit të procedurave të privatizimit të shoqërisë aksionere, duke u bërë indicie për fillimin e procedurës së shitjes. 
  • Propozimi për realizimin e shitjes së shoqërisë tregëtare Klubi i Futbollit “Vllaznia” ka në referencë edhe ndryshimet e fundit ligjore, në ligjin Nr. 105/2020 "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 79/2017 “Për Sportin”.

Në nenin 8 të këtij ligji janë miratuar ndryshimet në Nenin 22, “Kapitali shtetëror”, ku përcaktohet: 

  1. “Institucionet publike qendrore dhe vendore, që kanë në zotërim aksione të shoqërive tregtare sportive, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji i nxjerrin ato në shitje në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi.

Për sa më sipër Bashkia Shkoder bën publik:

Relacionin dhe Projektvendimin - Për dhënien e pëlqimit për shitjen me ankand të aksioneve të Klubit të Futbollit "Vllaznia" sh.a në masën 100%

Jeni të ftuar të shprehni opinionin tuaj përmes plotësimit të anketës on-line.

Mundësi Punësimi
Asnjë rezultat i gjetur!
 
Sherbime dhe kontakte
Adresa

Rruga 13 Dhjetori, Nr. 9, Shkodër, Shqipëri

e-mail: info@bashkiashkoder.gov.al

Copyright 2020 - © Bashkia e Shkodrës