Kërko
Shpallje/Njoftime

Njoftim për firmosjen e marrëveshjes për financimin e investimit "Ndërhyrje e integruar për permirësimin e aksesit, shërbimeve dhe atraksionit turistik në zonën e Alpeve (Rikualifikim urban në Theth dhe rehabilitim i segmentit Rrugor Theth - Nderlysaj)"

16.10.2020

Kemi kënaqësinë të ndaj me ju lajmin që Bashkia Shkodër, ka firmosur tashmë marrëveshjen e investimit me një financim prej 328.444.621 lekë pa TVSH, për projektin "Ndërhyrje e integruar për permirësimin e aksesit, shërbimeve dhe atraksionit turistik në zonën e Alpeve (Rikualifikim urban në Theth dhe rehabilitim i segmentit Rrugor Theth - Nderlysaj). NEN-OBJEKTI : “REHABILITIMI I SEGMENTIT RRUGOR THETH - NDERLYSAJ”.
Qëllimi i realizimit të këtij investimi është rikualifikimi urban i qëndrës së fshatit Theth. Projekti ka për qëllim të rikuperojë mundësitë dhe të zhvillojë jetën e banorëve, gjithashtu edhe për të menaxhuar fluksin e vizitorëve gjatë sezonit turistik. Objektivi kryesor i projektit është rikualifikimi i qendrës së fshatit Theth ku rrugët luajnë rolin më të rëndësishëm.
 
Koncepti është që rrjeti lidhës të funksionojë si këmbësor. Automjetet do të qëndrojnë të parkuara në dy hapësirat e parkimit të menduara në hyrje tek Ura I ekzistuese dhe pranë Urës II që është propozuar të ndërtohet. Automjetet do të qarkullojnë dhe në brendësi të fshatit për të sjellë vizitorët në bujtina por edhe për t'i furnizuar ato, por lëvizja e tyre do të jetë e kufizuar. Seksioni i rrugës është zgjedhur 4m, për të limituar fluksin e madh të lëvizjeve të automjeteve. Për shkëmbimin e automjeteve është menduar zgjerimi i rrugës me xhepa 2m të gjerë çdo 50-60m në vendet ku shihet e arsyeshme.
 
Rrethimi i rrjetit rrugor do të bëhet me mure guri 40 cm mbi rrugën, me seksion 35 cm, me lidhje të brendshme me llaç. Pas murit vendosen gardhe druri natyrale me lartësi 140 cm.
Koshi i propozuar për mbeturinat do të jetë një shportë metalike, e thurur me shkopinj druri nga jashtë. Dimensionet e një shporte janë relativisht të vogla, diametri i sipërm 55 cm dhe diametri i poshtëm 30cm. Secili kosh do të ketë etikatat e përdorimit të diferencuar të mbeturinave.
Për zgjidhjen arkitektonike të urave është zgjedhur veshja me elementë të plotë druri me distancë 10-15cm larg njëri-tjetrit dhe lartësi 100 cm. Përdorimi i dërrasave me përmasa të tilla është bërë për të ruajtur raportin e vertikalitetit, që është vërejtur në gardhet e përdorura në zonë.
 
Ndërhyrje do të ketë edhe në fasadën e shkollës, me qëllim ruajtjen e kodit të dizajnit të zonës. Çatia e llamarinës do të zëvendësohet me çati druri (pishe) me shikulla, e cila është karakteristikë e objekteve në zonë. Kangjellat e dritareve në katin përdhe do të hiqen. Gjithë dritaret do të zëvendësohen me dritare dopio xham me kasë druri pishe të stazhonuar të trajtuar me insekticide dhe llak kundër lagështirës. Dera e shkollës dhe ambulancës do të jetë druri gjithashtu.
 
Sheshi përpara shkollës do të funksionojë si një shesh multifunksional që do të mbledhë njerëzit dhe vizitorët në Theth. Një ndër funksionet që ai mund të marrë është reklamimi i produkteve vendase dhe punimeve tradicionale të Thethit gjatë periudhave të pikut turistik.
 
Mobilimi urban është pjesë e rëndësishme e projektit. Rreth bredhave ekzistues është propozuar të vendosen stola qëndrimi. Modeli i stolit të zgjedhur është stoli me gabion dhe i veshur sipër me dru për t'u ulur.
 
Ju ftojmë të konsultoni dokumentat e mëposhtëm për më shumë detaje:
 
Raporti Teknik
Specifikime Teknike 1
Specifikime Teknike 2
 
 
 
Sherbime dhe kontakte
Adresa

Rruga 13 Dhjetori, Nr. 9, Shkodër, Shqipëri

e-mail: info@bashkiashkoder.gov.al

Copyright 2020 - © Bashkia e Shkodrës