Kërko
Shpallje/Njoftime

Njoftim - Kushtet, procedurat dhe dokumentacioni për të përfituar nga programet e strehimit social

02.03.2020

Bazuar në ligjin nr. 22/2018 “Për strehimin social”, Vkm nr.384, datë 12.06.2019 “Për përcaktimin e dokumentacionit për të përfituar strehim sipas çdo programi social të strehimit dhe të afateve të proçedurave të miratimit nga organet e vetëqeverisjes vendore”.

Bashkia Shkodër fton të gjithë qytetarët e interesuar, që kanë nevojë për strehim, që të aplikojnë për të përfituar nga programet sociale të strehimit.

Gjithashtu, ftojmë të gjithë të interesuarit që kanë aplikuar më parë për një nga programet e strehimit, të paraqiten pranë Zyrës me një Ndalesë pranë Bashkisë për të përditësuar të dhënat e deklaruara sipas legjislacionit në fuqi.

Aktualisht do të zbatohen 3 programe të strehimit social:

  1. Subvencioni i Qirasë.
  2. Banesa sociale me qira tek “ish Konvikti Shkollës Pyjore“.
  3. Subvencionimi i interesave të Kredive.

Kushtet për të përfituar nga programet e strehimit që do të zbatohen:

Kushtet që duhen plotësuar për të përfituar nga programi i Subvencionimit të qirasë:

  • Të jetë banor i Bashkisë Shkodër;
  • Të ketë mbushur moshen 18 vjeç;
  • Të mos ketë banesë në pronësi ose të zotërojë një sipërfaqe banimi nën normat e strehimit sipas përcaktimeve ligjore ose ka mbetur i pastrehë për shkaqe të përcaktuara në ligj;
  • Ka të ardhura të pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet e strehimit të përshtatshëm sipas përcaktimeve ligjore;

Kushtet që duhen plotësuar për të përfituar nga programi i Banesave Sociale me qira tek “ish Konvikti Shkollës Pyjore“:

  • Të jetë banor i Bashkisë Shkodër;
  • Të ketë mbushur moshen 18 vjeç;
  • Të mos ketë banesë në pronësi ose të zotërojë një sipërfaqe banimi nën normat e strehimit sipas përcaktimeve ligjore ose ka mbetur i pastrehë për shkaqe të përcaktuara në ligj;
  • Të jetë jetim që pas moshës 18 vjeç ka dalë nga institucionet e përkujdesit social dhe jeton aktulisht në konviktet e qytetit;
  • Të jetë familje një prindërore që ka në ngarkim fëmijë dhe viktima të dhunës në familje;
  • Ka të ardhura të pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet e strehimit të përshtatshëm sipas përcaktimeve ligjore;

Kushtet që duhen plotësuar për të përfituar nga programi i Subvencionimit të interesave të Kredive;

  • Të jetë banor i Bashkisë Shkodër;
  • Të ketë mbushur moshen 18 vjeç;
  • Të mos ketë banesë në pronësi ose të zotërojë një sipërfaqe banimi nën normat e strehimit sipas përcaktimeve ligjore ose ka mbetur i pastrehë për shkaqe të përcaktuara në ligj;
  • Ka të ardhura të pamjaftueshme për të përballuar pagesat e kredisë për blerjen e nje banese për një strehim të përshtatshëm sipas përcaktimeve ligjore.

Proçedurat për të përfituar nga programet sociale të strehimi.

Faza parë:

  • Plotësimi i formularit tip pranë Zyrës me një Ndalesë në Bashki. Çdo qytetar i cili përmbush kriteret për aplikim sipas akteve ligjore në fuqi duhet të drejtohet pranë zyrës me një ndalesë për të plotësuar formularin e aplikimit. Në fazen e parë kërkohen vetëm fotokopja e kartës të identitetit të aplikantit.
  • Vlerësimi i kërkesave. Vlerësimi i formularëve të aplikimit dhe njoftimi i aplikuesve që përmbushin kriteret për të përfituar nga një prej programeve të strehimit social si dhe ato që nuk përmbushin këto kritere, të cilët kanë një afat prej 7 ditësh për plotësimin e të metave apo mangësive.

Faza dytë:

  • Klasifikimi i kërkesave për strehim sipas sistemit të pikëzimit;
  • Dorëzimi i dokumentacionit. Njoftim i subjekteve të përzgjedhur për t`u trajtuar me një nga programet e strehimit për plotësimin e dokumentacionit sipas përcaktimeve ligjore;
  • Shqyrtim dhe verifikim i dokumentacionit. Struktura përgjegjëse në Bashki klasifikon kërkesat sipas sistemit të pikëzimit të mitatuar dhe realizon shqyrtimin e dokumentacionit të paraqitur nga çdo aplikant dhe në vijim dërgon për vlerësim dhe shqyrtim të mëtejshëm pranë Komisionit të strehimit.
  • Dërgimi për miratimin e listës përfituese në Këshillin Bashkiak Brenda. Pas vleresimit nga Komisioni i vleresimit, struktura përgjegjëse në Bashki dërgon për miratim në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, Listën e përfituesve për secilin program të strehimit social që zbaton.
  • Njoftimi dhe e drejta e ankimimit. Çdo aplikues që nuk ka përmbushur kriteret për të qenë pjesë e listës përfituese, njoftohet nga struktura përgjegjëse e Bashkisë dhe mund të paraqesin ankim pranë kryetarit të bashkisë.

Lista e dokumentacionit të nevojshëm:

Për të dhënat personale:

  • Çertifikata e lindjes së aplikantit dhe certifikatën e gjendjes familjare (shkarkohet në E-Albania);

Për vertetimin e kushteve të banimit:

  • Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për pronat që disponohen në emër të secilit anëtar të familjes (shkarkohet në E-Albania);
  • Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat në fuqi të strehimit (shkarkohet në E-Albania);
  • Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të vendit të origjinës se nuk figuron e rregjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret për strehim, për cdo anëtar të familjes, që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi;
  • Akt verifikimi nga Bashkia për:
  • Banesat në rrezik shembjeje
  • Rastet kur familja ka mbetur e pastrehë, si rezultat I fatkeqsive natyrore;
  • Banesat që prishen ose përjashtohen nga procesi Ilegalizimit;
  • Vendim i gjykatës për familjet që humbasin banesën për shkak të zbatimit të të vendimit të gjykatës;
  • Akt verifikimi nga struktura përgjegjëse e bashkisë për familjet rome/egjiptjane që banojnë në banesa individuale ose struktura, që nuk klasifikohen si banesë;

Për vërtetimin e kushteve familjare:

  • Çertifikatë familjare (shkarkohet në E-Albania);
  • Vendimin e gjykatës, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara, shoqëruar me vërtetimin nga zyra e përmbarimit për masën e pensionit që përfitojnë për femijët;

Për vërtetimin e kushteve sociale:

  • Vërtetimin e Komisionit Mjekësor të Përcaktimit të Aftësisë së Kufizuar, për individë me aftësi të kufizuara,
  • Vërtetimin përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezën e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit;
  • Dokument që vërteton që ka mbetur pastrehë si rezultat i lirimit të banesave, ish pronë e subjekteve të të shpronësuar;
  • Dokumentin e lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe “azilkërkues”:

           Emigrant dhe punëtor emigrant:
         -  Vërtetim nga sportelet e migracionit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Cështjeve sociale.
         -  Vërtetim nga Zyra e shërbimit Kombëtar ose Vërtetim i marrë pranës Zyrës së Punës. 
           Azilkërkues:
         -  Vërtetim nga Drejtoria për Shtetësinë dhe Refugjatët në Minstrinë e Brendshme.

  • Dokumentin e lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Cështjet e brendshme dhe ankesat në Ministrinë e Brendshme, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të Forcave të armatosura, të Shërbimit informative, të shtetit dhe të Policisë së Burgjeve:
  • Vërtetim nga Policia e Shtetit;
  • Vërtetim nga Garda e Republikës;
  • Vërtetim nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm;
  • Vërtetim nga Policia e Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit;
  • Vërtetim nga Forcat e Armatosura;
  • Urdhër mbrojtje apo urdhër i menjëhershëm i mbrojtjes për viktimat e dhunës në familje, lëshuar nga gjykata;
  • Vërtetim të marrë nga qendra kombëtare e shërbimit të përkujdesit shoqëror për viktimat e dhunës në familje:
  • Vërtetim nga strukturat e shërbimit social, qendrave sociale dhe të rehabilitimit për viktimat e dhunës pranë njësive të qeverisjes vendore.
  • Vetëdeklarim nëse individi/familja i përket pakicës kombëtare rome apo egjiptjane;
  • Dokumentin e lëshuar nga institucionet përkatëse për familjet e komunitetit rom;
  • Dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse për të miturit në konflikt me ligjin;
  • Vetëdeklarim se i përket grupimit LGBTI;
  • Dokumentin zyrtar të celebrimit dhe certifikatat personale, për efekt të llogaritjes së moshës, për çiftet e reja;
  • Vërtetim me certifikatë familjare se individi i përket kategorisë vajzë- nënë.

Për vertetimin e kushteve ekonomike:

  • Vërtetim i të ardhurave neto të familjes ose një deklaratë me shkrim nga aplikuesi për të ardhurat e familjes dhe burimin e tyre, të cilat duhet t`i bashkëlidhen dokumente zyrtare që e vërtetojnë atë, përfshirë vërtetimin nga punëdhënësi për pozicionin dhe pagën e aplikantit e të personave të tjerë të familjes, që janë në marrëdhënie pune;
  • Vërtetim nga Drejtoria Rajonale Tatimore dhe e Sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve për të gjithë anëtarët e e vetëpunësuar të familjes (shkarkohet në E-Albania);
  • Vërtetimin nga zyra e ndihmës ekonomike e bashkisë për anëtarët e familjes, të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar (sigurohet nga Bashkia;
  • Vërtetimin nga drejtoria rajonale e punësimit për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë (shkarkohet në E-Albania);
  • Vërtetimin nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension (shkarkohet në E-Albania);

Dokumentacioni i parashikuar sigurohet nga struktura përgjegjëse për strehim vetëm nëse aplikanti depoziton deklaratën e pëlqimit sipas formatit tip, shtojca “Ç”, që plotësohet bashkë me Formularin e Aplikimit pranë Zyrës me një Ndalesë.

Person kontakti:

Ergys Ivziku, specialist pranë Drejtorisë së Shërbimeve Sociale, Strehimit dhe Shëndetit Publik,

email: sherbimetsociale@bashkiashkoder.gov.al

      


 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 
Sherbime dhe kontakte
Adresa

Rruga 13 Dhjetori, Nr. 9, Shkodër, Shqipëri

e-mail: info@bashkiashkoder.gov.al

Copyright 2020 - © Bashkia e Shkodrës