Kërko

Muzeumet

MUZEU HISTORIK

Muzeu Historik i Shkodrës ka nisur te ndertohet në vitin 1947 (nën emërtimin "Muzeu Popullor"), por mori formë të plotë më 1949. Ai u vendos në qendër të qytetit, në një ndërtesë monumentale të shek XIX, vlerat e së cilës ia shtonte "Kulla e Sahatit" bashkëngjitur me të. Më 1953, me pasurimin e mëtejshëm të tij u bë riorganizimi i tij e ndahet në disa sektore.Gjatë viteve në vazhdim ngrihen edhe muze e shtëpi-muze të tjera, duke formuar një rrjet muzeal prej 7 qendrash muzeale.
Pas nderrimit të sistemit, me reformat e thella që u ndërmorën në fillim të viteve '90 dhe për pasojë shtëpitë ku ishin ngritur muzetë iu kthyen ish pronarëve, ky rrjet muzeal u shpërbë,duke mbetur në funksion vetëm Muzeu qëndror ku u grumbulluan të gjitha objektet muzeale të qendrave muzeale të mëparshme. Muzeu Historik u transferua në banesën monumentale të sapo restauruar (shtëpi karakteristike shkodrane që mban emrin "Oso Kuka), ku ndodhet edhe sot. Vazhdoi të funksionojë  edhe Muzeu i Kalasë "Rozafa".
Muzeu Historik : Përmban sektorin e Arkeologjisë, të Historisë dhe të Etnografisë.

Sektori i arkeologjisë

Sektori i arkeologjisë është i vendosur në katin përdhesë të godinës, me sallat ekspozuese dhe atë të fondeve. Fondi arkeologjik përmban rreth 500 objekte, nga të cilët rreth 200, ndër më të përzgjedhurit, janë të ekspozuar ; pjesa tjetër ruhet në fond. Objektet arkeologjike - muzeale të këtij sektori përfaqësojnë të gjitha periudhat historike, nga Neoliti (6000 vjet p.e.s.) deri në Mesjetën e vonë (shek.XVI e.j.). Ato kanë një shtrirje gjeografike që përfshinë krejt zonen e Shkodrës.Një pjesë e mirë e tyre vjen nga gjetje të rastit, por ka edhe objekte që vijnë nga gërmimet arkeologjike të ekspeditave të kryera në këtë territor.   
Muzeu vë në dispozicion të vizitorëve shpjegim të kualifikuar dhe materiale udhëzuese e promocionale të mjaftueshme.

Sektori i Historisë

Sektori i Historisë përmban arkivin dokumentar dhe relikte të karakterit historik. Në rrjetin muzeor të Shqipërisë është ndër më të pasurit. Ai ndahet në 55 fonde. Dokumentacioni ka të dhëna për gjithë Prefekturën e Shkodrës e më gjërë. Pjesa kryesore është në origjinal dhe e shkruar në shqip, italisht, frëngjisht, gjermanisht e serbisht.
Lënda që përmban është e karakterit historik, ekonomik, kulturor, artistik, gjuhësor, arsimor, administrativ, muzeor, shoqëror, memorialistik. Aty ruhen edhe përkthime në shqip e botimet e bëra nga Muzeu pas vitit 1949.
Pjesë e Arkivit është edhe filmoteka me materiale historike të filmuara në Arkivin Qëndror të Shtetit e me imazhe të tjera (gjithësejt mbi 3000).Gjithashtu, Fonoteka me koleksionin e pllakave të para të gramafonit, të regjistruara në Shkodër pas vitit 1953 e regjistrime orale të memories historike. Një koleksion më vete përbëjnë fotografitë, ku janë fiksuar evenimente, personazhe individuale ose në grup, monumente të ndryshme,personalitete të historisë etj.
Dokumenti më i vjetër konsiderohet një pergamenë katër- faqesh e padeshifruar ende, për të cilin mendohet se daton në shek.XII - XIV.
Fondi i objekteve historike të Muzeut përbëhet nga 4 koleksione kryesore që dokumentojnë periudhën nga shek.XV deri më sot :

  1. Koleksioni i armëve : Përmban armë të të gjitha llojeve, prodhime vendi ose importi.
    Artileri e lehtë (topa të vegjël),shek.XIV - XV.
    Armë zjarri, krahu ose brezi të shek.XVII e në vazhdim.
    Armë të ftohta tipesh të ndryshëm,shek.XVIII - XX.
    Predha furioze metalike të madhësive të ndryshme (veçohen predhat prej guri të shek.XV, më masivet - deri më 600 kg.)
  2. Koleksioni i relikteve : Lidhet me ngjarje historike e personalitete të shquara të qytetit e krahinës së Shkodrës (ndër to : të L.Gurakuqit,P.Vasës, Sh.Gjeçovit, B.Currit, D.Boriçit, Migjenit)
  3. Koleksioni i Vulave : Lidhen me veprimtarinë e institucioneve shtetrore, fetare e të individëve të ndryshëm të qytetit e të krahinës së Shkodrës, por edhe të shteteve  të huaja.
  4. Koleksioni numizmatik (Monedha e Kartëmonedha të periudhës moderne) : Përmban prerje monetare ose letra me vlerë të Shqipërisë e të  disa shteteve që kanë patur marëdhënie politike apo tregtare me Shkodrën apo Shqipërinë.( shek.XIX - XX ).Këtu veçohen kartëmonedhat e prera e të qarkulluara në Shkodër më 1920, kur qyteti iu bashkua përfundimisht shtetit shqiptar.

Sektori i Etnografisë :

Ky sekor ka një fond prej rreth 1500 objektesh që u përkasin shek.XVIII - XX.Ato janë prodhime artizanale të qytetit të Shkodrës e zonave gjeo-etnografike të pellgut të tij:Dukagjinit, M.Madhe, Shllakut, Postrribës, Zadrimës, Anamalit, Krajës si dhe të krahinave të Pukës e të Mirditës.
Një pjesë e tyre janë prodhuar nga individë të familjeve qytetare apo fshatare, kurse pjesa tjetër prodhime të mjeshtërve të punishteve artizananale të qytetit të Shkodrës duke ndjekur traditën shekullore vendase, por edhe me elementë të rinj, të ndikuar nga kontaktet me kultura të huaja, në kohë të ndryshme.
Materialet e përdorura për punimin e tyre janë kryesisht të burimit vendas, por janë përdorur edhe materiale importi, kryesisht në prodhimet qytetare e më tepër në kohë të vona, me futjen  në treg të materialeve të industrializuara.

Adresa: Rruga Oso Kuka 32, Shkodër, Albania.
tel: +355 22 243 213
Orari i hapjes: Hënë-Premte 8-15
Shtunë dhe Dielë me lajmërim paraprak
Çmimi: 150 lekë për të rritur dhe 50 lekë për fëmijët nën 14 vjeç

Muzeu i Keshtjelles

Muzeu i keshtjelles ndodhet ne nje nga mjediset e Keshtjelles Rozafa .Ne kete muze jane te ekspozuara deshmi te banimit te Shkodres ne periudha te ndryshme historike.Pjese e tij jane arme e  dokumenta te ndryshme, deshmi e luftrave historike te Shkodres ndaj pushtuesve te ndryshem te shfaqur ne kohe te ndryshme ne Shkoder, deshmi e veprimtarive te feudaleve Bushatllinj et shek XVIII.

Fototeka "Marubi"

Arti i fotografimit në vendin tonë zë fill në Shkodër në vitet '50 të shekullit XIX dhe lidhet me emrin e Pietro Marubit (1834 - 1903), me origjinë nga Piacenca (Itali), i ardhur si azilant politik në Shkodër, ku u vendos përgjithmonë, duke themeluar studion fotografike "Marubi", në qendër të qytetit, e para e këtij lloji në Shqipëri. Puna e tij mbi dyzetvjeçare si fotograf ka lënë gjurmë të rëndësishme, me vlera historike e artistike.
Në studion "Marubi" pati njëkohësisht kontributin e vet modest edhe nxënësi i mjeshtrit italian, Mati Kodheli. Nga viti 1885 në këtë studio punoi edhe vëllai i Matisë, Kel Kodheli.(1870 - 1940) i cili, me vdekjen e mjeshtrit trashëgoi studion dhe filloi punen i pavarur,duke mbajtur pastaj për nderim e mirënjohje të mësuesit bujar, mbiemrin "Marubi"si mbiemër të vet.
Krahas rritjes së kërkesave të publikut, rritet dhe aktiviteti i studios "Marubi",duke ndjekur hap pas hapi teknikat evolutive të fotografimit e duke u shquar për cilësi të lartë deri në realizimin e fotografisë së mirëfilltë artistike.
Brezi i tretë i dinastisë "Marubi", pas vdekjes së Kelit, përfaqësohet nga biri i tij, Gega, i cili e përcolli këtë thesar të vyer dhe e pasuroi më tej atë, duke punuar me po atë përkushtim e profesionalizëm deri më fund të jetës së tij.
Në vitin 1970, fondi i fototekes “Marubi”, fryt i një pune të pandërprerë njëqind e sa vjeçare, ku shkrihen së bashku arti dhe memorja e Shkodrës dhe e kombit tonë, e cila bërmban rreth 200 000 negativë në pllaka xhami e në celuloid i kaloi shtetit shqiptar. Më pas këtij fondi iu bashkuan edhe katër arkiva të tjera negativesh me vlera të spikatura, nga fotografët e shquar shkodranë, respektivisht Shan Pici, Rraboshta, Dedë Jakova e Angjelin Nënshati, duke e dyfishuar pothuajse numrin e negativave në këtë Fototekë. Vlen të theksohet se secili prej këtyre fotografëve kishte krijuar profilin e vet të fotografit artist.
Fondet prej mbi 400000 negativash, përveç harkut të gjatë kohor, kanë një shtrirje gjeografike përtej kufinjve të qytetit e qarkut të Shkodrës. Aty janë fiksuar përveç mijëra e mijëra individë qytetarë ose jo të Shkodrës, qindra ngjarje historike lokale e kombëtare, kronika te përditëshme te qytetit, persona të njohur publikë e personalitete të fushave të ndryshme të jetës politike, ekonomike, shoqërore e kulturore.
Gjithashtu është dokumentuar urbanistika e monumente të qytetit të Shkodrës e të pjesës më të madhe të qyteteve të Shqipërisë, e Malit të Zi. Një vlerë të veçantë marrin mijera negative që pasqyrojnë veshjet tradicionale, që përfshijnë të gjitha zonat etnografike të Shqipërisë së Veriut, shtëpitë karakteristike shkodrane e ato të fshatit, Pazarin e Madh te Shkodrës, peisazhe natyrore deri në ato të Alpeve të Veriut etj.
Një numër  të konsiderueshëm negativash ka për konsujt e akredituar në Shkodër e personalitete të huaja politike e ushtarake të shteteve të huaja, si dhe mijëra ushtarë e oficerë, të Turqisë, Italisë, Austrohungarisë, Francës, Britanisë, Malit të Zi etj, veçanërisht të periudhës së luftës I e të II botërore.
Fototeka "Marubi" ruan përveç negativeve edhe regjistrat origjinalë, që nga viti 1918, ku janë të regjistruar me saktësi emrat e personave e grup - personave e data egzakte e fotografimit.
Me vlera të veçanta muzeale janë edhe objektet e materialet e përdorura nga marubët e fotografët e tjerë, në studiot e tyre.

 
Sherbime dhe kontakte
Adresa

Rruga 13 Dhjetori, Nr. 1, Shkodër, Shqipëri
Tel: +355 22 400150
e-mail: info@bashkiashkoder.gov.al

Copyright 2014 - © Bashkia e Shkodrës