Kërko

Mjediset rekreative

Territori i Bashkisë Shkodër ka trashëguar një numër të madh monumentesh e institucionesh të kulturës, arsimit e besimit, sipas periudhave.
KALAJA ROZAFA

kalaja rozafa2

Është monumenti historik më i vjetër. Ngrihet mbi një kodër strategjike, në takim të lumenjve Drin e Buna në jug e me pamje të lirë mbi Liqenin e Shkodrës në veriperëndim, për të kontrolluar fushën nga deti në perëndim, si dhe në lindje, kalimin në thellësi të vendit e të Ballkanit. Gërmimet arkeologjike tregojnë se kalaja është një nga vendbanimet e hershme të pellgut të Shkodrës, i banuar rreth 4000 vjet më parë. Brenda mureve rrethuese ka një sipërfaqe rreth 3.5 km2. Perimetri i mureve është 881 m. Kështjella ndahet në tre oborre.
Më i rëndësishmi është oborri i fundit ku kishte qendrën kapiteneria, ose rezidenca e guvernatorit, e ndërtuar nga venecianët në fillim të shek. XV. Në sistemin fortifikues një rol të rëndësishëm luan sistemi i kalimeve të fshehta, të nëndheshme. Brenda mureve antike ka edhe një muze, kushtuar historisë dhe legjendës së kalasë.
KALAJA E DRISHTIT

kalaja e drishtit (1)

Gjendet në një distancë prej 6 km nga Ura e Mesit mbi lumin Kir.Fshati i sotëm ndodhet poshtë vendgërmimit të Drivastumit të lashtë. Ai u ngrit në periudhën romake si një vendbanim në rrugën  Shkodër–Kosovë dhe në antikitetin e vonë ishte njëra prej fortesave zinxhir, të cilat mbronin Shkodrën. Në shek IX, Drishti  u kthye në një fortifikim të rëndësishëm të Mbretërise së Zetës dhe varej nga Dioqeza e Tivarit. Kalaja e Drishtit u ngrit në shek XIII si një fortesë bizantine. Gjatë shekujve XIV-XV kalaja së bashku me qytetin kaloi nga njëri sundues tek tjetri, derisa me 1478 bie në duart  e osmanëve, të cilët u përpoqën ta meremetonin.
URA E MESIT

ura e mesit (1)

Ura e Mesit, ngrihet mbi lumin Kir, pranë fshatit Mes, rreth 8 km larg qytetit të Shkodrës. U ndërtua nga Mehmet Pashë Bushati në gjysmën e dytë të shekullit  XVIII. Ura është e gjatë 108 m, e gjërë3.4 m dhe përbëhet nga 13 harqe guri. Harku më i madh ka hapësirë 21.5 m dhe lartësi 12 m. Ajo deri vonë ka shërbyer për të lidhur qytetin e Shkodrës me Drishtin. Përbën një nga urat me gurë më të mëdha dhe të ruajtura mirë në Shqipëri. 
MUZEU HISTORIK “Oso Kuka"

muzeu shkoder oso kuka

Zhvillimi mijëvjeçar i qytetit ka lënë gjurmët e tij të cilat janë paraqitur në ambjentet e muzeut. Në këtë muze gjenden zbulime të ndryshme arkeologjike dhe objekte tradicionale të kohëve të hershme. Në këte muze pasqyrohen objekte të periudhës parahistorike dhe dokumente të zhvillimit të Shkodrës si qendër e fuqishme ekonomike dhe kulturore. Muzeu Historik i Shkodrës është një muze lokal dhe bën pjesë në rrjetin e institucioneve kulturore në vartësi të Bashkisë së qytetit. Muzeu përbëhet nga seksionet e etnografisë, arkeologjisë, të artit pamor dhe bibliotekës.
MUZEU I KËSHTJELLË

muzeu i keshtjelles 

Ndodhet në një nga mjediset e Kështjellës Rozafa. Në këtë muze janë të ekspozuara dëshmi të banimit të Shkodrës në  periudha të ndryshme historike që i përkasin periudhës urbane helenistike dhe romake. Në katin e parë janë të  ekspozuara objekte të ndryshme të periudhës së mesjetës së hershme. Ato janë kryesisht stoli prej bronxi dhe vegla pune prej hekuri. Në katin e sipërm janë përqendruar më shumë dokumenta dhe relikte që pasqyrojnë historinë mesjetare e atë moderne të kalasë “Rozafa”. Armët origjinale të kohës, veneciane dhe otomane përbëjnë një tjetër koleksion të pasur e mjaft interesant për vizitorin.
MUZEU KOMBËTAR MARUBI

muzeu kombetar marubi

Në vitin 1858 këtu u stampua fotografia e parë, e cila lidhet me emrin Marubi. Ajo u zhvillua pothuajse në të njëjtën kohë me fotografinë botërore, duke i dhënë artit shqiptar një koherencë me fytyrën e një qytetërimi modern.
Në vitin 1971, u krijua arkivi monumental e befasues i fototekës “Marubi” e trashëguar nga familja Marubi dhe nga mjaft fotograf të talentuar të Shkodrës. Aty gjenden mijëra portrete, kompozime, peisazhe, reportazhe, ku fokusohen njerëz të thjeshtë, politikanë, kryengritës popullorë, piktorë, vepra të urbanistikës, arkitekturës, monumenteve të kulturës.
GALERIA E ARTEVE

Një vizitë në Galerinë e Arteve të afron me kulturën e këtij qyteti. Në fondet e saj përfshihen vepra të autorëve shkodranë dhe të atyre të mirënjohur shqiptarë, që nga periudha e Rilindjes Kombëtare e deri në ditët tona. Që nga viti 1970 galeria ruan, mbron e ekspozon 700 piktura të autorëve të traditës dhe të ditëve tona.
TEATRI MIGJENI

teatri_migjeni1 (1)

Për herë të parë në Shqipëri trupat teatrale u krijuan ne Shkodër para 120 vitesh. Godina aktuale e Teatrit “Migjeni”, me një arkitekturë të veçantë,  u ndërtua  në vitin 1958, me një kapacitet  prej 500 vendesh. Në këtë teatër është vënë në skenë opera e parë muzikore shqiptare “Mrika”,  me autor kompozitorin shkodran  Prenkë Jakova,  ekzekutuar nga orkestra sinfonike dhe interpretues vokal të Shkodrës. Trupa teatrore ka vënë në skenë shumë vepra të repertorit kombëtar dhe të huaj, autorë klasikë e bashkëkohorë.
STADIUMI “Loro Boriçi”

stadiumi

Është ndërtuar  në vitin 1956, me kapacitet 12 mijë spektatorë dhe me përmasa të standarteve olimpike. Këtij stadiumi i janë bërë disa rikonstruksione, i fundit i kryer është ai i vitit 2016 ku kapaciteti  i stadiumit ka arritur në 16.000 persona. Në Shkodër u luajt ndeshja e parë e futbollit në vitin 1905, ndërsa Klubi Shumësportësh Vllaznia u krijua në vitin 1919. Në vitin 1921 në Shkodër  u zhvillua  rrethi i parë çiklistik i Shqipërisë. Ndër vite skuadrat sportive Shkodrane kanë nxjerrë kampionë në një seri sportesh si futboll, basketboll, volejboll, atletikë, boks, çiklizëm, not, ngritje peshash, duke konkuruar me sukses edhe në gara ndërkombëtare.   
KINEMA MILLENIUM

kinema millenium shkoder

Shkodra është një nga qytetet e para në Shqipëri ku filloi projektimi i filmave kinematografik në vitin 1919 nga artisti i famshëm shkodran Kol Idromeno. Në vitin 1958 u ndërtua një kinema moderne me 600 vende e quajtur Kinema Republika, sot Kinema Millenium.

VENDI I DËSHMISË DHE KUJTESËS

vendi i deshmise dhe kujteses

Një muze i ngritur në kujtim të viktimave të qytetit të Shkodrës gjatë regjimit komunist. Ky muze tregon historinë e njerëzve që vuajtën për besimin dhe integritetin moral të tyre.Ky objekt u ndërtua në vitin 1930 nga etërit françeskanë.  Prona u konfiskua dhe u transformua në Degën e Brendshme (Selia e Sigurimit të Shtetit) në vitin 1945.
XHAMIA E PLUMBIT

xhamia-e-plumbit

Është një monument kulture i kategorisë së parë. Ajo ndodhet mbas kalasë së Rozafës, në anën jugore të saj, në një nga lagjet më të vjetra të qytetit. Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitin 1773 nga Mehmet Pashë Bushati sipas stilit të xhamisë Blutë Stambollit.                                                                
KISHA E ZOJËS  SË KËSHILLIT TË MIRË

kisha e zojes

Ndodhet poshtë kalasë së Rozafës, dhe u restaurua në shekullin e XVII-të. Ajo është e famshme për afreskun e “Zojës së Këshillit të Mirë”, që u zhduk gjatë pushtimit turk në vitin 1467.
Tradita thotë se Virgjëresha Mari iu shfaq dy ushtarëve në ëndërr dhe i urdhëroi ata të largoheshin nga vendi me afreskun, në mënyrë që të parandalonin dëmtimin e imazhit të shenjtë nga turqit. Dy ushtarët e vendosën atë në Xhenacan.
KAFJA E MADHE

kafja e madhe

Është monumet kulture dhe simbol i qytetit të Shkodrës. Ideuar nga mjeshtri i madh Kolë Idromeno, godina ka arkitekturë tipike të fund shekullit të XIX dhe ka shërbyer si afene gjatë tre shekujve të fundit.
ZONA MUZEALE OSE RRUGA “KOL IDROMENO” 

zona muzeale

Pedonalja  përgjatë pjesës së vjetër të qytetit duke përfshirë dhe lagjen e Gjuhadolit me shtëpi karakteristike me porta të mëdha dhe mure të larta, tipike të qytetit në shekullin e XIX,ofron ndërtime arkitektonike unikale, vepra të arkitektit Kolë Idromeno.
PARKU KOMBËTAR I THETHIT

parku kombetar thethi

Ndodhet 70 km nga Shkodra. Zona e Thethit ka një sipërfaqe prej  2.630 ha, nga të cilat 1.680 hektarë janë pyje dhe pjesa tjetër janë kullota dhe sipërfaqe shkëmbore.  I vetmi   park kombëtar në Qarkun e Shkodrës dhe i dyti për nga madhësia e parqeve kombëtare në Shqipëri. Thethi është pjesë e projektit të Parkut të Paqes në Ballkan, i cili synon të lehtësojë krijimin e një parku ndërkufitar në malet e Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë Veriore si simbol paqeje dhe bashkëpunim
PLAZHI I VELIPOJËS

plazhi i velipojes_copy_2

Është një prej plazheve më të njohur të Shqipërisë, i njohur veçanarisht për cilësinë e rërës dhe ujin e pastër. Gjendet 32 km nga qyteti i Shkodrës dhe ka një vijë bregdetare 14 km të gjatë dhe 200 m të gjerë. Plazhi rigjenerohet çdo vit nga valët e detit gjatë periudhës së dimrit , duke siguruar gjithmonë një përmbajtje të lartë të kripës dhe jodit në rërë.  
DELTA E BUNËS

Është krijuar nga depozitimet e këtij lumi dhe ka formën e një trekëndëshi të madh, me bazë nga deti. Në të ndodhen  dy ishuj të mëdhej: ADA (5 ha në Mal të Zi) dhe ishulli  i Franc Jozefit. Ky i fundit dallohet për bimët dhe kafshët e rralla. Ai ndodhet 10 km nga Velipoja.
LIQENI I SHKODRËS

liqeni i shkodres

Liqeni i Shkodrës është një ndër pasuritë më të mëdha të natyrës Shqiptare. Në vetvete Liqeni për- faqëson një habitat të përmasave të mëdha, mjaft interesant, unikal dhe shumë kompleks . Në Liqenin  e Shkodrës njihen 850 specie bimore dhe 600 specie shtazore.
Pjesa shqiptare e zonës së liqenit është shpallur zonë Ramsar (Konventa e Ramsarit “Për ligatinat me rëndësi ndërkombëtare, veçanërisht si habitate ujore”). Për këto arsye dhe për klimën e tij të shëndetshme, liqeni i Shkodrës dhe zona përreth (Shirokë, Zogaj) kanë një potencial mjaft të lartë për zhvillimin e turizmit. Në një distance prej 30 km nga Liqeni ekzistojnë pamje të mrekullueshme, që vijnë nga të dyja anët. Në veri nga lagunat e bukura alpine dhe në jug nga luginat e Nënshkodrës.

 
Sherbime dhe kontakte
Adresa

Rruga 13 Dhjetori, Nr. 1, Shkodër, Shqipëri

e-mail: info@bashkiashkoder.gov.al

Copyright 2018 - © Bashkia e Shkodrës