Kërko

Kultura dhe trashigimia

Trashigimia Kulturore ne qytetin e Shkodrës mbeshtetet mbi dy kolona të  rëndësishme:
Trashigimia Kulturore Shpirtërore dhe Trashigimia Kulturore Materiale.
Kënga qytetare Shkodrane është pjesë e trashigimisë shpirtërore.
Kënga qytetare Shkodrane është një thesar me vlera artistike kombëtare. Repertori i saj është shumë i pasur dhe i larmishëm, e lindur në një ambient e në  rrethana të caktuara historike. Ashtu si filigramat, meloditë e bukura Shkodrane janë punuar me mjeshtri, janë lëmuar në rrjedhen e kohërave nga populli, duke na ardhur edhe sot të freskëta dhe origjinale siç është vetë jeta dhe natyra e bukur e banorëve të Shkodrës ndër vite.
Kemi këngë shumë të vjetra, qindra vjeçare siç janë; vallet e kënduara (Shtregullat) që interpretohen me dhe pa shoqërim instrumenti në këto raste:
• Në të gjithë ritualin e dasmës (tek vajza dhe djali),
• Në festat e pranverës “Shtregullat” në oborret dhe bahçet e shtëpive shkodrane,
• Në shetitjet e ndryshme në natyre, gëzimë familjare etj.
Këto  këngët janë shumë të brishta dhe elegante, të thjeshta në ndërtim (ritmikë dhe melos) por shumë origjinale. Pikërisht për këtë duhet patur kujdes që kjo trashëgimi të mos denatyrohet nga askush. Bukuria e këtyre këngëve është të kënduarit në grup, me rradhë zërat femërorë dhe mashkullore, herë në unison por dhe të ndarë sipas rregjistrave (kuartë - kuintë).
Në ambjentet e oborreve janë shoqëruar me hap të lirë dy grupe përballë njëri tjetrit 8 deri 10 persona Burra dhe gra. Pak nga këto këngë janë kërcyer me ritëm valleje.
Gjuha e përdorur në këto këngë është shumë e pasur, e larmishme që ka prekur çdo aspekt të jetës ,shpesh herë dhe me një humor fin. Në qendër të përmbajtjes së këtyre këngëve kanë qënë më të shumten bukuria dhe vitytet e vajzës dhe të djalit që më pas do të lidhnin jetën dhe kështu do të ruhej vazhdimësia.
Baza modale e këtyre këngëve është diatonika e pastër, kryesisht modi eolian (minori natyror) ç’ka dëshmon për lashtësinë e këtyre motiveve.

Këngët e ahengut shkodran

ansambli i këngë dhe i valleve Ansambli i Qendrës Kulturore Pjetër GACI

Krahas valleve të kënduar, në folklorin muzikor të qytetit të shkodrës bëjnë pjesë dhe këngët e ahengut (një ndër kryeveprat e trashëgimisë shpirtërore kombëtare), këngë që mjeshtrat popullorë shkodranë i kanë trashëguar brez mbas brezi duke rritur pa rreshtur shprehjen, forcen dhe bukurine e tingëllimit të tyre.
Këngët e ahengut kanë lindur si nevojë e natyrshme , në një stad të cakturar të zhvillimit të qyteteve tona për të thënë diçka më tepër se vallet e kënduara.
Vetë ndërtimi i këngëve  si formë më e zhvilluar lindi si domosdoshmëri për të transmetuar një përmbajtje të re, një realitet të ri që solli vetë zhvillimi i qyteteve në shek.XVIII- XIX.
Ndonëse në ndërtimin melo ritmik ndihet influence orientale, ato duhen konsideruar dhe trajtuar si shkëmbime të natyrshme vlerash kulturore muzikore që nuk cënojnë në asnjë rast tërësinë origjinale kombëtare të këngëve të krijuara, interpretuar, transmeturar nga brezi në brez nga artistet shkodranë.
Ritmika e këngëve të ahengut është shumë e pasur, po ashtu dhe forma e ndërtimit të saj herë dy pjesëshe herë tre pjesëshe, me përcjellëse instrumentale dhe forma nga më të larmishmet nga ato të lira “ad libitum” (jaret e famëshme) deri tek ato ritmiket e gjalla plot energji.
Po ashtu dhe struktura modale është shumë e larmishmë dhe e komplikuar por me një rregull të caktuar renditje për interpretim që përfaqëson sistemin e dymbëdhjetë modeve. Duke filluar nga modet natyrore maxhor - minor deri tek ato të ashtequajtura orientale. Këto shkallë modale populli i quan “Makam” ose “Perde”.
Janë shtatë grupe këngësh. Secili grup paraprihet nga një përcjellëse instrumentale.
Për të interpretuar këto këngë duhet të kesh aftësi vokale me zë prej tenori dhe të interpretosh saktë të gjitha ornamentet dhe fjoriturat e saja.
Ahengu fillonte në mbrëmje dhe mbaronte në oret e para të mëngjezit me këngët e grupit “Sabah”
Shoqërimi orkestral bëhej nga; violina, sazeja, kavalli, dajre, lugë ose çapare. Më vonë u futen braçi , klarineta, kitarra. Harmonia, fizarmonika, kontrabasi.
Tematika është e larmishme nga lirika sentimentale deri tek këngët e trimërisë.
Kemi dhe këngë të tilla që i përkasin “Ahengut Shkodran” me një stil të veqantë dhe një formë më të zhvilluar ku  shpirti ashikut Shkodran, dashurinë e fshehtë e shprehte vetëm nëpërmjet këngës , dhe kush më bukur se këtë e shprehin jaret e famshme Shkodrane si; Për mu paska ken kismet / Me ken ti e tjera kujt. Ose; Kenke nuri i bukurisë / Shpin’ ma kishe moj në sejran.  O do t’i baj rixha kojshisë / Le t’ma presin pak nj’at mand. Etj. Me kangën shkodrane u moren dhe profesionistë, poetë të mirëfilltë dhe kompozitorë;
Lindën kangë të tilla origjinale si Margjelo, /Synin si qershija, / Kur prendon dielli,/ Lule bore, e famshme që është bërë si hymn i Shkodres dhe e dijnë i madh e i vogël. Me lule t’bukra./ Turtulleshë,/ Kaçurrelat e tua,/ Lule t’bukra sjell pranvera,/ Ky marak ,etj.
Kjo traditë vazhdon edhe sot kuptohet në kushtet e një dimensioni tjetër të jetës social – ekonomike dhe kulturore, mundësisht duke ja transmetuar sa më shumë brezit të ri.
Sa është e vështirë që të krijosh vlera artistike po aq e vështirë është dhe për t’i ruajtur këto vlera dhe për t’i transmetuar ato brezave të ardhshëm pa i deformuar dhe denatyruar. Kjo ka qënë motoja e punës për disa vite me rradhe në Qendrën e Kultures “Pjetër Gaci” Shkodër.  Disa herë jemi vlerësuar me çmime të ndryshme në evenimente dhe festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe këto suksese i kemi arritur duke gjetur mbështetjen dhe mirëkuptimin e artistëve shkodranë të vjetër dhe të rinj. Duhet theksuar se vetë populli dhe banorët e Shkodrës jo vetëm që e pëlqejnë këngën e tyre por dhe e ruajnë me fanatizëm origjinalitetin e këngës shkodrane pasi ajo është pjesë e identitetit të qënurit shkodran dhe shqiptar.
Duhet të kemi kujdes për ruajtjen dhe transmetimin e kësaj vlere me të gjithë elementet e saj përbërës, dhe për këtë kërkohet që asnjëherë të mos tërhiqemi në ruajtje të kësaj vlerë që me të drejtë është shpallur kryevepër e trashëgimisë shpirtërore.
Grupi i Shkodres fitues i cmimit te pare ne Festivalin Folklorik Kombetar ne vitin 2009 ne Gjirokaster.
Orkestra Frymore e qytetit (Banda)  

banda i i muzikore 1878 Banda e parë muzikore 1878

Shkodra njihet edhe si qyteti i themelimit të orkestrës së parë frymore në Shqipëri, në vitin 1878.Ishte inisiativa e arbëreshit françeskan At ‘Markoci që me ndihmat që mblodhi në popull,bëri të mundur ardhjen e mjeshtrit napolitan Giovanni Canale, i cili për katër vite me radhë jo vetëm që e drejtoi këtë bandë muzikore, por pregatiti instrumentistë te rinj.
Mjeshtri Canale shume shpejt nuhati talentin e nje te riu, anetar te ketij formacioni tek I cili me vone besoj drejtimin e Bandes .Ky ishte mjeshtri Palok Kurti, i cili përveç drejtimit të këtij formacioni, punoi fort edhe për krijimin e një repertori kombëtar.  
Pjesëtarë të bandës në vite, u bënë  instrumentistë të talentuar e pasionantë të qytetit dhe dirigjentet e saj ishin  mjeshtra të tillë, si: Frano Ndoja, Sulë Liçaj, Martin Gjoka,  Luigj Prela,Abdulla Grimci, Zef Kurti, Prenkë Jakova, Nush Shllaku, Tonin Daija, Abdullah Salabegu, dhe nga viti 1986 e në vazhdim Kujtim Alia.
Në repertorin e këtij formacioni është përfshirë literatura tradicionale shqiptare si dhe literaturë e zgjedhur nga muzika e kultivuar botërore.
Si rezultat i ndryshimeve social-politike që ndodhën në Shqipëri pas rënies së regjimit komunist, ashtu si tërë shoqëria shqiptare, banda muzikore kaloi një periudhë të vështirë. Duhet të vinte viti 2001 që kjo trupë t’i rikthehej qytetit dhe nga ky vit, ky formacion po punon për konsolidimin e tij, si një vlerë artistike dhe krenari e qytetit .
Orkestar Frymore (banda)e Bashkise Shkodër , përbëhet nga rreth 40 instrumentistë  dhe dirigjenti i saj.
Ka statusin dhe dizenjon e saj karekteristike.
Si rezultat i punës dhe pasionit të pjesëtarëve të saj,të dirigjentit dhe të stafit drejtues, kjo orkestër është fituese e çmimeve të para në të gjitha  Festivalet Kombëtare të  organizuara gjate 4  viteve të fundit ne qytetin e Sarandes. Ne vitin 2009 kjo Orkester mori pjese ne Festivalin Nderkombetar te Bandave muzikore  zhvilluar  në Giulianova ( Itali) ku dhe meritoi Cmimin e Pare – akorduar nga Presidenti I Republikes Italiane.

 Trofetë e fituara në vite:

Në takimin kombëtar, në Tiranë  1930                          Çmimin e parë  drejtues  Zef Kurti
Në takimin kombëtar,në Vlorë     1962                          Çmimin e parë  drejtues  Prenkë Jakova
Në takimin  kombëtar,në Korçë   1967                          Çmimin e parë  drejtues  Prenkë Jakova
Në takimin  kombëtar,në Elbasan 1968                        Çmimin e parë  drejtues  Tonin Daija
Në takimin  kombëtar,në Shkodër 1977                       Çmimin e parë  drejtues  Abdulla Salabegu
Në Festivalin e II  kombëtar,në Sarandë  2008            Çmimin e parë  dirigjent Kujtim Alia    
Në Festivalin e III  kombëtar,në Sarandë 2009            Çmimin e parë  dirigjent Kujtim Alia

Teatri

lëvizja teatrore në Shkodër fillon nga fundi i shekullit XIX-të dhe u zhvillua kryesisht në shkolla dhe shoqëri fetare me vonë edhe laike. Rreth viteve 80-të të këtij shekulli Shkodra, si  epiqendra ekonomike e kulturore e Shqiperisë së Veriut u bë kryeqyteti i skenës amatore.Ky aktivitet i gjerë u zhvillua në shtatë lokalet teatrore që u ngritën njëri pas tjetrit :
Salloni i Kolegjit Saverian ndërtuar me 1890 me rreth 450 vende
Salloni i shkollës Franceskane  me 300 vende
Salloni i shkollës Stigmatine me 250 vende
Salloni i Shkollës Parrucës me 400 vende
Kinoteatri “Rozafat” me 400 vende
Salloni shoqërisë Bogdani me 350 vende
Salloni i shoqërisë Vllaznia me 400 vende
Me 20 shkurt 1879 u shfaq nga nxënësit e shkollës saveriane farsa poetiko- muzikore” Mako “ e përkthyer në gjuhën shqipe, më pas u shfaq drama e parë  “Nata e Kshnellave e shkruar nga poeti arbëresh  At Leonardo de Martino, “sipas të folmes së gropës së Shkodrës”
Veprimtaritë skenike të dokumentuara i kemi rreth viteve 1905, në faksimilet e fletushkave të programeve të shfaqjeve.
Mbas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912, ishin kryesisht shoqnitë e ndryshme laike që vazhduan punën e nisur shumë mire nga shkollat fetare. Shoqnia “Vllaznia” me kryetar Hil Mosin  u dallua për një program të mirë teatror.
Përmes shfaqjeve teatrale të cilat u bënë jo vetëm burim argetimi dhe kënaqesie , ato ishin edhe një shkollë për masat e qytetit. Jehona e fuqishme , si dhe polemikat  që shkatonin ato në publik flisnin qartë për interesimin e madh të qytetarëve për problemet që trajtoheshin në teatrin e tyre.
Në vitin 1933 u krijua shoqnia Antoniane, e cila pati një degë të konsolidur teatrore. Aktoret diletante të  kësaj dege më vonë u bënë profesionistët më të mirë të artit skenik shqiptar. Në  qytet funksiononin dhe grupet teatrore pranë shkollave të shtetit , si shkolla Skanderbeg, shkolla Parruces , Konvikti Malet Tona, Gjimnazi i shtetit etj
Por vetëm pas luftës së dytë botërore teatri arrit lulezimin e vërtet profesional.

drama armiku i popullit Drama"Armiku i Popullit"

Në vitin 1945 në Shkodër filloj një lëvizje teatrore  nga grupe të ndryshme të cilat formuan bërthamen  e artit skenik të Shtëpisë së kulturës.Me kontributin e shumë të rinjëve, një pjesë e të cilëve  më vonë bëheshin aktorë profesionistë të skenës shqiptare, u vu në skenë drama “ Bujtina e të varfërve”, drama “Përtej horizontit’, “Armiku i populli”të Ibsenit, të vënë në skenë nga përkthyesi i këtyre dramave Zef Zorba. Por shfaqja më e sukseshme ishte tragjedia “Juda Makabe” vënë në skenë me 28 nëntor 1945 nga Zef Zorba me muzikë të Preng Jakovës  dhe me aktorët  Loro Kovaci, Pjeëer Gjoka, Lec Bushati etj.
Në vitin 1946 Shtëpia e kulturës me rregjizor Andrea Skanjetin vënë në skenë në vitin 1947 melodramen folklorike “Dasma” me drejtues  kori kompozitorin Preng Jakova.
Në vitin 1949  u dha vendimi për ngritjen e Teatrit profesionist të qytetit Shkodrës dhe vepra e parë e vënë në skenën e këtij teatri ishte drama “Përmbysja”  e  shkrimtarit sovjetik  Boris Lavraniev.Në vitin 1952 u vu në skenë komedia "Kopraci" e Molierit,ku shkëlqeu në rolin e Harpagonit,aktori Zef Jubani. 

f2 teatri Komedia "Kopraci"

Një ngjarje me rëndësi të madhe për levizjen artistike ishte vënia në skenë e operës “Mrika” me libret të Llazar Siliqit dhe muzike të Preng Jakovës. Premiera e kesaj opera u shfaq ne sallen e Teatrit te ri Migjeni  me 1 dhjetor 1958, ajo ishte opera e parë shqiptare dhe një sukses i madh i artit muzikal shqiptar.
Mbas vitit 1958 Teatri “Migjeni “përvecse ishte një ndër  institucionet skenike më të rëndësishmit në Shqipëri u kthye edhe në një shkolle të madhe të formimit të artistëve të rinj, një pjesë e  të cilëve vazhduar me sukses debutimet ne Teatrin kombetar ne Tirane. Nga ky teater  kane dale emrat e medhenj te artit skenik shqiptar, Loro Kovaci ,Pjeter Gjoka, Tinka Kurti, Roza Anagnosti , Antoneta Fishta ,Ndrekë Prela Rikard Ljarja e shumë e shumë të tjerë.
Në vitin 1954 u vu në skenë për herë të parë në Shkodër një numër estrade “Estrada në penxhere” e cila u shfaq në kinemanë verore të qytetit dhe në vitin 1958 krijohet Estrada profesioniste e qytetit me regjizor Paulin Sekuj.
Në vitin 1960 u shfaq drama” Nora “ shkruar dhe vënë në skenë nga Andrea Skanjeti,me aktoren  portogoniste Roza Xhuxha (Anagnosti).Kjo drame u vleresua shumë  në festivalin e dytë të teatrit dramatik  dhe korri një sukses të madh.
Vitet 60-të sollën suksese të njëpasnjëshme  në teatrin profesionist . Me shumë  aktorë tashmë profesionistë si dhe emrimi i regjizorit Esat Oktrova solli një rritje të nivelit profesional të trupës. Në keto vite  premiera më e sukseshme ishte drama novatore  “Histori irkutase” e shkrimtarit rus  Arbuzov, e cila u vlerësua me cmimin e parë në festivalin e teatrove në vitin 1961, dhe Tinka Kurti u shpall aktorja më e mirë e këtij festivali.

 

f5 teatri Drama "Cuca e Maleve"

Në vitin 1962 vihet në skenë drama “ Plaku i maleve” shkruar nga  Tom Shoshit,në vitin 1963 vihet në skene  drama “Shtepia e kukullës” e Ibsenit e pastaj gjatë viteve në vazhdim “Cuca e maleve “,” Fisheku në pajë” të shkrimtarit Fadil Kraja “Këshilli i ndrikullave” e Sherri Mitës  dhe drama  “ Zekthi” e  Vojnicit, ku spikati roli  i aktorit të ri Serafin Fanko.
Vitet 70 u vunë në skenë” Sinjalet e natës” nga F.Kraja, “ Pushkët e nënës Kara” e B. Brehtit,” Toka jonë” e K. Jakovës,”Viti 61’e  F. Pacramit, ‘Katër nga armata” e Serafin Fankos ,”Fëtyra e dytë” e D.Agollit, “ Cifti i lumtur” e Bik Pepës, “Luani i shtëpisë” nga F.Kraja, “ Lulet e shegës” nga  K. Jakova , “Baca i Gjetajve” nga F.Kraja
Në vitet 80 u vunë në skenë dramat “Çështja e Blertës” e F. Krajës,  “Vizita inspektorit” e Xh. Pristit, “Shtëpia e Bernarda Arbës” e Garsia Lorkes, “Hetimi” e Piter Vaisit “Gjenerali ushtrisë vdekur “– sipas romanit te I.Kadares e vënë në skenë nga regjizori i ri Serafin  Fanko ,”Gjaku i Arbërit” nga F. Kraja .

 

 

f3 teatri Komedia "Këshilli i Ndrikullave"

Vitet 1990-2000 bashkë me shembjen e diktaturës, sollën ndryshime rrënjësore përsa i takon zgjerimt të repertorit, me pjesë nga autorë dikur të ndaluar por edhe trajtimi me nje gjuhë më të hapur, subjekte kureshtare, karaktere dhe ide të pacekura më parë. Por nga ana tjetër periudha e tranzicionit me efektet e saj ekonomike , solli largimin e shumë aktorëve të shquar.
Në fillim të viteve 90-të u  vu në  skenëe “Gomari i Babatasit” i Gjegj Fishtës e më pas drama “Franku i Pestë” nga Frederih Durrenmatit ,vënë në skenë nga regjizori Arben Kumbaro. Në vitin 1994  u shfaq drama novatore e Serafin Fankos “Çmurosja”.
Në vitin 1996 përmes një stili me risi të reja vjen  drama e Stefan Capalikut “Ftesë për darkë’.Ndërkohë që pas viteve 90 në teatrin “Migjeni “ hyjnë në skenë vepra dikur të ndaluara si dramat “Me dyer të mbyllura” e Zhan Pol Sartrit, (1995) e cila u vu në skenë nga regjizori francez Domenique Dolmieu,melodrama italiane “Ultima luna” “Mirandolina” e Galdonit.Për të vazhduar me drama të shkruara me gjuhen moderne si “Vizita e fundit” dhe komedia” Ishulli i Shitenit” te Arbri Brahushës, “Luaj me mua në violinë” e Gazmand Krasniqit,” Putargat e Thata” dhe” Shën Gjon Kryepremi” nga Stefan Capaliku, “Një histori e thjeshtë” nga Edmond Mhilli, komeditë” Një burrë skarco” dhe “Miloner pa asnjë kacidhe “.
Me dramen” Çmurosja” (1996) të S. Fankut dhe  me dramen “Ftese për darkë” të S.Capalikut, trupa e teatrit “Migjeni” fitoi çmime në festivalet mbarëkombëtare .
Regjizorët që kanë krijuar profilin artistik të këtij  teatri janë: Andrea Skanjeti, Lec Shllaku, Esat Oktrova, Serafin Fanko,Tonin Ujka, Elez Kadria dhe Fatbardh Smaja.
Regjizoret e estrades veçojmë Paulin Sekuj, Edmond Mhilli, ndërsa si librestistë të estradës veçojmë  shkrimtarët  e njohur të humorit shkodran Bik Pepa, Paulin Selimi.
Aktoret me te mire nder vite:  Zef Jubani ,Tinka Kurti ,Preng Lekunda, Adem Kastrati Lec Bushat ,Bep Shiroka, Ndrek Prela ,Vitore Nino, Antoneta Fishta , Violeta Sekuj Ymer Bala ,Viktor Bruceti,Bruno e Paskualina Shllaku ,Agron Dizdari, Merita Smaja Rita Gjeka  etj
Shkdra që shquhet për humorin ka nxjerrë edhe artistët më të mirë të ketij zhanri si :
Tano Banushi, Paulin Preka, Zyliha Miloti,  Zef Deda ,Drane Xhaj etj

 
Sherbime dhe kontakte
Adresa

Rruga 13 Dhjetori, Nr. 1, Shkodër, Shqipëri

e-mail: info@bashkiashkoder.gov.al

Copyright 2014 - © Bashkia e Shkodrës