Kërko

Kultura dhe trashëgimia

Shkodra është cilësuar nga përsonalitete si ‘’djepi i kulturës shqiptare’’. Që në shek. XI u përdor alfabeti latin dhe me këto gërma Pal Engjulli nga Drishti i Shkodrës shkroi dokumentin e parë në gjuhën shqipe ‘’Formulën e Pagëzimit’’. Me 1858 në Shkodër, dhe për herë të parë në Shqipëri, zbatohet arti i fotografimit. Fotografet Marubi do ti japin qytetit një fototekë unikale në Shqipëri. Me 1870 krijohet shtypshkronja e pare nga etërit jezuitë. Pas kësaj funksionuan edhe shtypshkronja të tjera. Deri me 1944, në to u shtypën 68 tituj gazetash e revistash. Në fund të shek. XIX jezuitet, krijuan bandën e parë muzikore, ndërtuan stacionin e parë sinoptik, ngritën teatrin (me 1911 nis edhe shfaqja e filmit) gjithashtu edhe një shkollë pikture. Nga ky qytet do të ngrihen bazat e filozofisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe qyetarët e saj do të jenë ideatorët dhe nismëtarët e Levizjes Kulturore Shqiptare.

Është qyteti ku kanë lindur, jetuar, punuar e krijuar më shumë shkrimtarë nga çdo qytet tjetër mesjetar nga Mesjeta deri në mesin e shek XX. Libri i parë i historisë së letërsisë shqipe është ‘’Rrethimi i Shkodrës’’ (1504) dhe ‘’Historia e Skëndërbeut’’ (1508-1510) të Marin Barletit. Pas errësirës pesë shekullore turke, ndër të parët do të jetë Pashko Vasa që me këngën hymn ‘’O moj Shqypni’’, do të sjellë mesazhet e Rilindjes sonë Kombëtare. Në vitet 20-30 të shek. XX, letërsia njeh figura madhore të tilla si Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Migjeni dhe Ernest Koliqi të cilat me veprat e tyre arritën nivele bashkëkohore në letërsinë ballkanike dhe atë europiane. Krahas tyre emra të tjerë si V. Prendushi, B. Palaj, L. Shantoja, G. Pali, K. Mirdita e më pas A. Pipa flasin për vijimsinë e autorëve të Shkodrës.

Fishta u quajt poeti kombëtar, autor i 37 veprave ku spikat poema ‘’Lahuta e Malësisë’’ (1905-1937) me 15.613 vargje. Në vitet 20 – 30 Ernest Koliqi (1903-1975) me vëllimet e tij në prozë ‘’Hija e Maleve’’ (1929) dhe ‘’Tregtarë flamujsh’’ (1935) do të dëshmojnë arritjen e prozës shqipe në krijimin e përmasave kritike, psikologjike dhe psikoanalitike. Në këto vite shfaqet ‘’Migjeni’’ i cili shquhet si një meteor në letërsinë shqipe pa I mbushur 27 vitet. Letërsia e zhvilluar në Shkodër, si pjesë e letërsisë bashkohore shqipe ka pasqyruar me dinjitet artistik jetën në levizjet e saj. Emra të tillë si Fadil Kraja në dramaturgji, Skender Drini në prozë, Frederik Rreshpja në poezi, Teufik Gjyli, etj. pasurojnë letërsinë shqipe. Kanë dhënë kontribut të ndjeshëm në zhvillimin e letërsisë të përndjekurit Z. Pllumi, Z. Zorba, M. Ademi, etj. Sot krahas penave të njohura po debutojnë me sukses krijues letrarë të cilët me botimet në prozë dhe poezi dëshmojnë se Shkodra ka qënë dhe do të jetë burim i pashterrshëm talentesh.

Në fushën e trashegimisë kulturore në gjininë e ndërtimeve të kultit, të fortifikimeve, të ndërtimeve inxhinierike, në fushën e ndërtimeve popullore si dhe të arteve të aplikuara me një hapsirë kohore nga shek. X deri në ditët e sotme, Shkodra ruan një pasuri të madhe. Janë gjithsej 124 objekte në qytetin e Shkodrës të gjinive të ndryshme të cilat për vlera të veçanta historike, urbanistike, arkitentonike tipologjike dhe artistike janë cilësuar ‘’Monument Kulture’’ të kategorisë I, ndërkohë që të gjitha ndërtimet e tjera në zonat muze dhe ato të mbrojtura janë ‘’Monument Kulture’’ të kategorisë II. Qëndra historike e qytetit të Shkodrës përbëhet nga zona ‘’Muze’’ e cila përfshin ansamblet urbanistiko – arkitektonike të rrugës ‘’13 dhjetori’’ dhe ‘’Branko Kadija’’ dhe zona e mbrojtur ku përfshihet rrugica ‘’Luigj Gurakuqi’’. Ato janë përgjithsisht dy katëshe me ballin kryesor në rrugë ku trajtimi arkitektonik I pamjeve të jashtme vlerësohet për larminë dhe sterilizimin e elementeve arkitektonike, duke sjellë realizime të arritura në fushën e trashëgimisë kulturore, vepër e arkitektëve të talentuar shqiptarë si Kol Idromeno e Pjetër Marubi.

ETNOKULTURA

Kompleksiteti etnokulturor i Bashkisë Shkodër paraqet specifika të dallueshme psikologjike, banorët kanë të shtrejtë atdheun, mbrojtjen e vetëdijes kombëtare, demostrojnë shpirt të qëndrueshëm etnik. Banorët kanë trashëguar dhe vijojnë të festojnë ritet tradicionale që lidhen me ndërrimin e stinëve. Festohet ardhja e stinës së blertë, dalja nga dimri, festa e pranverës, Shën Gjergji, të cilat shoqërohen me këngë dhe valle. Të folurit e Bashkisë Shkodër karakterizohet nga dialekti i gegënishtes, i cili shfaqet me variacione të karakterit fonetik.

Martesa është kult trashëgimie, rituali i dasmës paraqitetet i larmishëm sipas zonave qytetare, malore dhe fushore. Festimet për këtë ngjarje që mbulon kultin e familjes dhe ndan dy gjëndjet sociale janë shumë interesante. Qyteti, rrethinat etnografike fushore dhe malësitë karakterizohen nga kostume tradicionale, funksionale për çdo ceremoni dhe për jetën e përditshme. Është treguar kujdes i posaçëm për veshjen e grave dhe të burrave. Pas ceremonisë martesore një eveniment shumë i veçantë për banorët është lindja e femijës. Rituali i vdekjes gjithashtu është karakteristik dhe shpreh botën e pasur shpirtërore të banorëve, dashurinë e madhe për jetën dhe dhimbjen e thellë për humbjen e saj.

ARTET PAMORE

Piktura në Shkodër identifikohet me artistin Kol Idromeno. Formimi i tij u shënua nga një traditë familjare dhe nga mësimet e para të marra nga Pjetër Marubi. Më vonë u pasua nga një përvojë artistike në Venecia. Ai ishte artisti që mori pjesë aktivisht në jetën e qytetit duke projektuar si arkitekt fasada shtëpish si dhe duke projektuar për herë të parë në Shqipëri, me një aparat kinematografik filma bashkëqytetarëve të tij, skenografi dhe butafori shfaqjesh duke qënë kështu promoter i jetës qytetare.

Me interes të veçantë shfaqet jeta aktuale, etnografike e folklorike edhe në veprat e piktorëve të tjerë si Ndoc Martini (1880 – 1917) dhe Andra Kushi (1885 – 1959). Ndërsa Simon Rrota (1887 – 1961) mbetet piktor që i thuri idile përsonazheve të afërt me kostumet Shkodrane, grave me buljera e çadra, rrugiceve, portave e puseve. Në shek. XX., shfaqet piktori Zef Kolombi (1907 – 1949), shkolluar në Itali pa dyshim piktori më brilant e me një kthjelltësi mahnitëse. Brezi i mëvonshëm zë fill me dy artistë të njohur po ashtu të shkolluar në Itali, Kel Kodheli në Romë e Vladimir Jani, në Firence. Këto ishin të fundit piktorë që studiuan në një vend perëndimor.

Përiudha e realizmit socialist ndonëse ishte një përiudhë e vështirë, arriti të nxirrte figura të shquara përmendim këtu Franc Ashiku ( 1924 – 1998), Angjelin Dodmasej (1929), Ismail Lulani (1933 – 2003), Danish Jukni, Jakup Keraj (1933 – 1987), Ferdinand Paci ( 1939 – 1975). Atyre viteve shtjellohet krijimtaria e Liljana Çefa, Pjerin Sheldija dhe Ndoc Gurashi. Në këto vite zhvillohet arti i skulpturës i cili mban firmën e Shaban Haderit, Ferid Kola, Sadik Spahia, Hashim Kruja dhe Skendër Kraja.

Karikatura ishte një gjini e lëvruar në Shkodër, kjo fushë përfaqësohej nga karikaturisti Tefë Palushi që shquhej për një sens të hollë humori.

Në një situatë të tillë do të zinte fill krijimtaria e disa brezave artistësh pauses, përmendim këtu F. Kola, S. Brahimi, A. Miruku, A. Kadillari, M. Gurashi, A. Hila, A. Paci, U. Pali etj.

TRADITA MUZIKORE

Kënga qytetare Shkodrane është pjesë e trashigimisë shpirtërore. Kënga qytetare Shkodrane është një thesar me vlera artistike kombëtare. Repertori i saj është shumë i pasur dhe i larmishëm, e lindur në një ambient e nërrethana të caktuara historike. Ashtu si filigramat, meloditë e bukura Shkodrane janë punuar me mjeshtri, janë lëmuar në rrjedhën e kohërave nga populli, duke na ardhur edhe sot të freskëta dhe origjinale siç është vetë jeta dhe natyra e bukur e banorëve të Shkodrës ndër vite.Në qytetin e Shkodrës këngët ndahen në dy grupime, këngët valle dhe këngët e ahengut.

Për vetë strukturën e ndërtimit këngët valle janë më të hërshme. Vallet e kënduara (Shtregullat) interpretohen me dhe pa shoqërim instrumenti në të gjithë ritualin e dasmës (tek vajza dhe djali), në festat e pranverës “Shtregullat” në oborret dhe bahçet e shtëpive shkodrane, në shetitjet e ndryshme në natyre, gëzimë familjare etj. Këtokëngë janë shumë të brishta dhe elegante, të thjeshta në ndërtim (ritmikë dhe melos) por shumë origjinale. Pikërisht për këtë duhet patur kujdes që kjo trashëgimi të mos denatyrohet nga askush. Bukuria e këtyre këngëve është të kënduarit në grup, me rradhë zërat femërorë dhe mashkullore, herë në unison por dhe të ndarë sipas rregjistrave (kuartë - kuintë). Në ambjentet e oborreve janë shoqëruar me hap të lirë dy grupe përballë njëri tjetrit 8 deri 10 persona burra dhe gra. Gjuha e përdorur në këto këngë është shumë e pasur, shpesh herë dhe me një humor fin. Baza modale e këtyre këngëve është diatonika e pastër, kryesisht modi eolian (minori natyror) ç’ka dëshmon për lashtësinë e këtyre motiveve.

Ahengu Shkodran

Krahas valleve të kënduar, në folklorin muzikor të qytetit të shkodrës bëjnë pjesë dhe këngët e ahengut (një ndër kryeveprat e trashëgimisë shpirtërore kombëtare), këngë që mjeshtrat popullorë shkodranë i kanë trashëguar brez mbas brezi duke rritur pa rreshtur shprehjen, forcën dhe bukurinë e tingëllimit të tyre. Këngët e ahengut kanë lindur si nevojë e natyrshme, në një stad të caktuar të zhvillimit të qyteteve tona për të thënë diçka më tepër se vallet e kënduara. Vetë ndërtimi i këngëvesi formë më e zhvilluar lindi si domosdoshmëri për të transmetuar një përmbajtje të re, një realitet të ri që solli vetë zhvillimi i qyteteve në shek.XVIII- XIX.

Ahengu fillonte në mbrëmje dhe mbaronte në orët e para të mëngjezit me këngët e grupit “Sabah”. Shoqërimi orkestral bëhej nga violina, sazeja, kavalli, dajre, lugë ose çapare. Më vonë u futen braçi, klarineta, kitarra, harmonia, fizarmonika, kontrabasi, etj. Tematika është e larmishme nga lirika sentimentale deri tek këngët e trimërisë. Ndër këngët solistike bëjnë pjesë edhe jaret të cilat kanë shtrirje të gjerë vokale e janë të pasura me zbukurime melodike të tilla si ‘’Margjelo’’, ‘’Synin si qershija’’, ‘’Kur prendon dielli’’, ‘’Lule borë’’, ‘’Me lule t’bukra’’, ‘’Turtulleshë’’, ‘’Kaçurrelat e tua’’, ‘’Ky marak’’, etj.Kjo traditë vazhdon edhe sot në kushtet e një dimensioni tjetër të jetës social – ekonomike dhe kulturore.

Këngët folklorike

Folklori muzikor në malësitë e Shkodrës është një dëshmi me vlera të mëdha etnokulturore, sepse ruan vlera autentike dhe është deshmi e identitetit tonë kombëtar. Nisur nga natyra dhe ngjarjet që e kanë shoqëruar vendin tonë folklori muzikor ka karakter epik dhe lirik. Këngët malësore apo të kryekrahut janë këngë kushtimi që këndohen pa shoqërim dhe intonohen në regjistra shumë të lartë vokalë, këto këngë janë kënduar edhe në festa e dasma. Një vend të veçantë zë repertori i këngëve elegjiake, të kënduara me lahutë ku dallohet Eposi i Kreshnikëve. Ndër këngët lirike vendin kryesor e zënë ‘’Këngët e Dasmës’’, ‘’Kënga e Unazës’’, ‘’Këngët e punës’’ etj. Në ninulla këngët e djepit, spikat një botë e pasur ndjenjash, nëna shpreh dshirat dhe urimet më të përzemërta për jetën e të birit.

Vajtimi i një të vdekuri është një ritual mortor ‘’brimë’’, që përcillet nga një dramë muzikore e cila quhet dhe gjamë (gjëmë). Rolin kryesor e luan kori I burrave, I cili vajton me anë të fjalëve me përmbajtje të thellë dramatike, me karakter deklamativ duke intonuar zërin sipa vetë kuptimit të fjalëve duke goditur gjoksin me grushtë dhe duke çjerrë fytyrën. Meloditë baritore janë tepër të pasura me motive lirike e me larmi tingëllimesh timbrike. Instrumentat më të përdorura janë fyelli, zumarja, bylbyli etj.

Orkestra Frymore e qytetit (Banda )

Shkodra është qyteti themelues i orkestrës së parë frymore në Shqipëri, në vitin 1878. Ishte iniciativa e arbëreshit françeskan At ‘Markoci që me ndihmat që mblodhi në popull, bëri të mundur ardhjen e mjeshtrit napolitan Giovanni Canale, i cili për katër vite me radhë drejtoi bandën muzikore dhe përgatiti instrumentistët e rinj. Mjeshtri Canale shumë shpejt nuhati talentin e një të riu i cili i besoi më vonë drejtimin e Bandes. Ky ishte mjeshtri Palok Kurti, i cili përveç drejtimit të këtij formacioni, punoi fort edhe për krijimin e një repertori kombëtar. Në dhjetvjeçarët e parë të shek. XX zhvilloi një aktivitet të rëndësishëm muzikor atë Martin Gjoka (1890 – 1940) dhe dom Mikel Koliqi (1902 – 1997). Nga e gjithë kjo levizje e gjerë muzikore u krijuan baza të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të muzikës, u përgatit dhe u formua një gjeneratë muzikantësh si: Prenkë Jakova, Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Ramadan Sokoli, Simon Gjoni etj. Në 1945 pranë Shtëpisë së Kulturës dhe Krijimtarisë Popullore Shkodër, kompozitori Prenkë Jakova realizoi një levizje të fuqishme muzikore si organizator, drejtues dhe kompozitor. Në këtë përiudhë vihet në skenë tragjedia ‘’Juda Makabé’’, ‘’Dasma Shkodrane’’, veprimi muzikor ‘’Dritë mbi Shqipërinë’’, ‘’Lejla’’, opera e parë shqiptare ‘’Mrika’’ etj.

Pjesëtarë të bandës në vite, u bënëinstrumentistë të talentuar e pasionantë të qytetit dhe dirigjentet e saj ishinmjeshtra të tillë, si: Frano Ndoja, Sulë Liçaj, Martin Gjoka, Luigj Prela, Abdulla Grimci, Zef Kurti, Nush Shllaku, Tonin Daija, Abdullah Salabegu, dhe nga viti 1986 e në vazhdim Kujtim Alia.

Karnevalet

Karnevalet në Shkodër dhe në rrethet e saj, janë mjaft të hershme. Nga perëndimi u sollën maska, veshje përshtypëse, objekte festore vezulluese, fishekzjarre, etj. Këto shfaqje përsoseshin vit për vit, numri i pjesmarrësve erdhi duke u shtuar, lagjet e qytetit përshkoheshin në këmbë dhe në karroca të stolisuara. Bejtarët e njohur, kanavacistët më të mjeshtërishëm, këngëtarët me orkestrat e veta, krijonin atmosferë aq gazmore e ngazëlluese, sa që nuk harrohej për një vit. Në vitin 1922 Piktori Popullit, Kolë Idromeno ndërmori hartimin e një shfaqje krejt origjinale karnevalesh me komedianin Zef Hilgega, në bazë të një skenari shumë interesant. Në vitin 1936 ishte ai më i organizuari e më i rëndësishmi I të gjitha karnevaleve të deriatëhershme. Mbas ardhjes së pavarësisë, këto manifestime u bënë plotësisht të lira e shoqëritë e para artistike dhanë shfaqje të plota me bejta e këngë, me tematika të kohës, për të defryer publikun dhe për të vënë në dukje hallet e nevojat e tyre.

TEATRI

Lëvizja teatrore në Shkodër fillon nga fundi i shekullit XIX-të dhe u zhvillua kryesisht në shkolla dhe shoqëri fetare me vonë edhe laike. Rreth viteve 80-të të këtij shekulli Shkodra, si epiqendra ekonomike e kulturore e Shqiperisë së Veriut u bë kryeqyteti i skenës amatore. Me 20 shkurt 1879 u shfaq nga nxënësit e shkollës saveriane farsa poetiko- muzikore ”Mako“ e përkthyer në gjuhën shqipe, më pas u shfaq drama e parë “Nata e Kshnellave’’ e shkruar nga poeti arbëresh At Leonardo de Martino, “sipas të folmes së gropës së Shkodrës”.

Mbas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912, ishin kryesisht shoqëritë e ndryshme laike që vazhduan punën e nisur shumë mire nga shkollat fetare. Shoqnia “Vllaznia” me kryetar Hil Mosinu dallua për një program të mirë teatror. Me kontributin e shumë të rinjëve, një pjesë e të cilëve më vonë bëheshin aktorë profesionistë të skenës shqiptare, u vu në skenë drama “ Bujtina e të varfërve”, drama “Përtej horizontit’, “Armiku i populli”të Ibsenit, të vënë në skenë nga përkthyesi i këtyre dramave Zef Zorba. Por shfaqja më e sukseshme ishte tragjedia “Juda Makabe” vënë në skenë me 28 nëntor 1945 nga Zef Zorba me muzikë të Preng Jakovësdhe me aktorëtLoro Kovaci, Pjetër Gjoka, Lec Bushati etj. Në vitin 1946 Shtëpia e kulturës me regjizor Andrea Skanjetin vënë në skenë në vitin 1947 melodramen folklorike “Dasma” me drejtueskori kompozitorin Preng Jakova.

Teatri profesionist u krijua me 1949 mbi bazën e teatrit amator. Trupa teatrore ka vënë në skenë shumë vepra të repertorit kombëtar dhe të huaj, autorë klasik dhe bashkohorë. Shfaqja e parë vendase e tij qe drama “Nën okupacion’’ e Xhemal Brojës me regji të Andrea Skanjetit. Dalja e ‘’Kopracit’’ të Molierit me regji të Lec Shllakut i dha teatrit një hov të papritur, që çoi në lavdi Zef Jubanin e trupën e teatrit duke vazhduar më pas me pjesë si “Agimi’’, “Toka Jonë’’ e Kolë Jakovës, ‘’Shtat Shaljanët’’ e Ndrekë Lucës’’, etj.

Një ngjarje me rëndësi të madhe për levizjen artistike ishte vënia në skenë e operës “Mrika” me libret të Llazar Siliqit dhe muzike të Preng Jakovës. Mbas vitit 1958 Teatri “Migjeni “përvecse ishte një ndërinstitucionet skenike më të rëndësishmit në Shqipëri, u kthye edhe në një shkolle të madhe të formimit të artistëve të rinj, një pjesë etë cilëve vazhduan me sukses debutimet ne Teatrin kombetar ne Tirane. Nga ky teater kanë dale emrat e medhenj të artit skenik shqiptar, Loro Kovaci, Pjeter Gjoka, Tinka Kurti, Roza Anagnosti, Antoneta Fishta, Ndrekë Prela, Rikard Ljarja e shumë e shumë të tjerë. Vitet 60-të sollën suksese të njëpasnjëshmenë teatrin profesionist . Me shumëaktorë tashmë profesionistë si dhe emrimi i regjizorit Esat Oktrova solli një rritje të nivelit profesional të trupës. Në keto vitepremiera më e sukseshme ishte drama novatore“Histori irkutase” e shkrimtarit rusArbuzov.

Në vitin 1962 vihet në skenë drama “ Plaku i maleve” shkruar nga Tom Shoshit, në vitin 1963 vihet në skene drama “Shtepia e kukullës” e Ibsenit e pastaj gjatë viteve në vazhdim “Këshilli i ndrikullave” e Sherri Mitës, ‘’Pushkët e nënës Kara” e B. Brehtit,” Toka jonë”, “ Lulet e shegës” e K. Jakovës, etj. Shumë pjesë erdhën në vazhdim me regjinë e Serafin Fankos ‘Katër nga armata”,“Gjenerali ushtrisë vdekur “, etj., dhe me pjesë të pa numërta të Fadil Kraja përmendim këtu dramën ‘’Gjaku i Arbërit’’, ”Fisheku në pajë”, “Baca i Gjetajve”, “Luani i shtëpisë”, ” Sinjalet e natës” etj.

Vitet 1990 e në vazhdim sollën ndryshime rrënjësore përsa i takon zgjerimit të repertorit, me pjesë nga autorë dikur të ndaluara, por nga ana tjetër periudha e tranzicionit me efektet e saj ekonomike, solli largimin e shumë aktorëve të shquar.

Regjizorët që kanë krijuar profilin artistik të këtij teatri janë: Andrea Skanjeti, Lec Shllaku, Esat Oktrova, Serafin Fanko, Tonin Ujka, Elez Kadria dhe Fatbardh Smaja. Për regjizoret e estradës veçojmë Paulin Sekuj, Edmond Mhilli, ndërsa si librestistë të estradës veçojmëshkrimtarëte njohur të humorit shkodran Bik Pepa dhe Paulin Selimi.

SPORTI

Shkodra është qyteti themelues, iniciator, udhërrefyes për të gjithë kulturën shqiptare. Rinia Shkodrane që në vitin 1905, krijoi ekipin e parë në lojën e futbollit me emrin ‘’Leka i Madh’’, ndërsa në vitin 1908 ishte prifti maltez, At Gut Ruter i cili solli topin e parë të vërtetë të futbollit dhe ky moment konsiderohet si ai i nisjes së futbollit në Shqipëri. Viti 1914 shënon krijimin e dy shoqërive kulturore, ‘’Vaso Pasha’’ dhe ‘’Mustafa Pasha’’ si dhe 17 shoqatave sportive që vepronin në baze lagjesh. Zhvillimi i vrullshëm i sportit në këtë përiudhë çoi në themelimin me 16.02.1919 e Shoqatës Patriotike ‘’Vllaznia’’, emër të cilin e mban edhe në ditët e sotme ekipet sportive të Shkodrës, në veprimtari sportive kombëtare dhe ndërkombëtare. Sot stadiumi i qytetit mban emrin ‘’Loro Boriçi’’, ndërsa pallati i sportit mban emrin e një sportisti dhe gjyqtari të shquar ‘’Qazim Dërvishi’’.

Arritjet në fushën sportive janë elitare, si në futboll, atletikë, basketboll, volejboll, ngritje peshe, mundje klasike dhe të lirë, noti, çiklizëm, alpinizëm, gjimnastikë, shah etj., në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. Me dhjetra janë titujt ‘’Mjeshtër i Merituar’’ dhe ‘’Mjeshtër i Sportit’’, për sportistët shkodranë si fitues të medaljeve në kampionate kombëtare por edhe olimpiada botërore, rinore, kampionate botërore, europiane, mesdhetare dhe ballkanike.

Sot në qytetin tonë stërviten mjaft ekipe të rinjsh e të rriturish, meshkuj e femra, në sporte të ndryshme, të suksesshëm në veprimtari sportive kombëtare dhe ndërkombëtare.

 
Sherbime dhe kontakte
Adresa

Rruga 13 Dhjetori, Nr. 1, Shkodër, Shqipëri

e-mail: info@bashkiashkoder.gov.al

Copyright 2014 - © Bashkia e Shkodrës