Kërko

Karakteristikat gjeografike

10

Bashkia Shkodër shtrihet në veriperëndim të Shqipërisë në një territor prej 873 km², i cili kufizohet në veri me Bashkinë e Malësisë së Madhe, në perëndim me Malin e Zi, në lindje me Bashkinë Tropojë, në jug me Bashkinë Vau i Dejës dhe me Bashkinë Lezhë.

Bashkia e Shkodrës përbëhet nga 11 njësi të qeverisjes vendore, (Shkodër, Ana e Malit, Bërdicë, Dajç, Guri i Zi, Postribë, Pult, Rrethinat, Shalë, Shosh dhe Velipojë).

Qyteti I Shkodrës ndodhet në veriperëndim të Shqipërisë. Në veriperëndim të tij ndodhet LiqeniiShkodrës, i cili me nje siperfaqe prej 368 km² është liqeni më i madh në Ballkan. Nga ky liqen buron Lumi Buna (44 km), i cili derdhet në detin Adriatik dhe rrjedha e poshtme e te cilit ndan kufirin me Malin e Zi.Lumi Buna bashkohet me lumin Drin rreth 2 km në jugperëndim të qytetit.

Nga ana lindore qyteti kufizohet me Lumin Kir, i cili buron nga Malësitë e Veriut dhe është 43 km i gjatë. Ky lum derdhet në Lumin Drin që rrethon Shkodrën nga ana jugore. Pjesa kryesore fushore e qytetit sot ka një shtrirje prej 1,150 ha, ndërsa pjesa kodrinore ka një shtrirje prej 350 ha.




20

Në qytet përfshihen edhe tre lagje periferike: Bahçalleku në jug, Shiroka dhe Zogaj në perëndim, të cilat zënë gjithsej një sipërfaqe prej 180 ha. Shkodra nga ana lindore dhe jugore rrethohet nga një varg kodrash deri në 110 m lartësi, kodrat e Rrencit në lindje dhe të Tepes në jug. Në jugperëndim gjendet kodra shkëmbore e kalasë së Rozafës me lartësi 130 m dhe sipërfaqe 3.6 ha. Rreth 30 km në juglindje ndodhet bregdeti Adriatik me Plazhin e Velipojës. Nga veriu dhe veriperëndimi shtrihet Fusha e Mbishkodrës përtej të cilës fillojnë Alpet e Shqipërisë, përkatësisht, Jezerca (2.694 m) dhe Radohima (2.570 m).

Në pjesën jugperëndimore të qytetit të Shkodrës, në një distancë rrugore prej 22 km larg qendrës së saj ndodhet njësia administrative Dajç. Kjo njësi kufizohet në veri dhe veriperëndim me Lumin Buna dhe përtej saj me njësinë administrative Ana e Malit, ndërsa një pjesë e saj është në kufi me Malin e Zi. Në pjesën lindore dhe juglindore kufizohet me njësinë administrative Bërdicë dhe Bushat ndërsa në jug me njësinë administrative Velipojë.

3

Dajçi ka një shtrirje relativisht të madhe, prej 36.52 km² dhe thuajse e gjithë kjo sipërfaqe është tokë bujqësore me vlera të mira prodhuese. Zona e Dajçit disponon burime natyrore, ujore e mjedisore të konsiderueshme. Lumi Buna përbën një ndër elementet me vlera të mëdha natyrore që gjënden në Dajç.

Aktivitetet kryesore ekonomike të viteve të fundit në këtë njësi janë bujqësia dhe blegtoria.







4

Në pjesën jugore të qytetit ndodhet njësia administrative Berdicë me një sipërfaqe prej 31.02 km². Njësia administrative Bërdicë kufizohet në veri meqytetin Shkodër, në jug me njësinë administrative Bushat, në lindje melumin Drin dhe në perëndim me njësinë administrative Dajç. Në jug-perëndim të qytetit të Shkodrës, në një distancë prej 6 km larg qendrës së saj ndodhet njësia administrative Ana e Malit me një sipërfaqe rreth 44 km².

Ajo kufizohet në veri dhe verilindje me qytetin e Shkodrës, në perëndim me Malin e Zi, në jug dhe juglindje me lumin Buna në një gjatësi prej 17 km si dhe në lindje me njësinë administrative Bërdicë.

Ana e Malit është kufitare me Malin e Zi dhe portë hyrëse nëpërmjet pikës doganore të përbashkët Mali i Zi - Shqipëri, pranë fshatit Muriqan. E gjithë zona disponon burime natyrore, ujore e mjedisore të konsiderueshme.

Në pjesën veriore të qytetit Shkodër ndodhet njësia administrative Rrethina me sipërfaqe 47,05 km². Territori i njësisë përshkohet nga rrugët nacionale Tiranë - Hani i Hotit dhe Shkodër - Muriqan.Kjo zonë bën pjesë pothuajse krejtësisht në Fushën e Mbishkodrës, në pjesën jugore të saj (fusha më e vogël e Shtojit) që do të thotë se ka një reliev kryesisht fushor, përjashtim bën fshati Zues, i cili shtrihet në pjesën më skajore të kodrës së Taraboshit, pranë lumit Buna. Aktivitetet kryesore në këtë zonë janë bujqësia dhe blektoria, të cilat përbëjnë edhe aktivitetet kryesore ekonomike të viteve të fundit.

5

Në juglindje të qytetit të Shkodrës, përgjatë rrugës rajonale Shkodër - Vau i Dejës ndodhet njësia administrative e Gurit të Zi, me një sipërfaqe prej rreth 81.7 km². Harta e pozicionit gjeografik të njësisë Guri i Zi është përqëndruar në fshatrat kodrinore dhe fushore në perëndim dhe më pak në zonat lindore, përgjatë brigjeve të liqenit artificial Vau i Dejës.Ajo kufizohet me njësitë administrative Postribë, Shllak, Bushat, Berdicë dhe Shkoder.

Guri i Zi dallohet për shumëllojshmërinë dhe cilësinë e burimeve të ujit të pijshëm të cilat gjenden kryesisht në shpatet perëndimore dhe jugore të kodrave. Njësia administrative përshkohet në pjesën juglindore të saj nga rruga automobilistike nacionale Shkodër - Pukë - Kukës - Kosovë. Zona dallohet për ruajtjen dhe zhvillimin e shumë kulturave bimore e drurëve frutore. Pasuri të shumta dhe cilësore të lëndëve inerte si rërë, zhavorr dhe lëndë e pare për prodhimin e tullave dhe tjegullave. Kjo zonë mbart vlera të veçanta arkeologjike dhe historike. Ekzistenca e pikave të veçanta me vlera turistike si Kalaja e Gajtanit, Kalaja e Ganjollës, Ishulli i Shurllahut (Sarda) etj.


Në jug të qytetit Shkodër në një distancë prej 25 km larg qëndrës së saj ndodhet njësia administrative Velipojë me një sipërfaqe rreth 72,4 km².Kjo njësi kufizohet në veriperëndim nga Mali i Zi përgjatë lumit Buna, në lindje nga Qarku i Lezhës, në veri nga Komuna e Dajçit dhe në jug nga deti Adriatik.

6

Pozita e favorshme gjeografike ku ndërthuren deti dhe lumi, laguna dhe rezervati natyror, fushat pjellore, kënetat dhe pyjet, kodrat dhe malet i japin kësaj njësie administrative një mundësi të madhe për zhvillimin e turizmit detar, lumor dhe malor, të peshkimit dhe të gjuetisë, të zhvillimit të kulturave të ndryshme bujqësore dhe të blegtorisë.

Përmendim këtu plazhin me gjatësi 14 km gjërësi rreth 300 m, Ligatinën e Velipojës (grykderdhjen e lumit Buna ku përfshihen 4 mocale të cekëta dhe këneta e Domjes), Rezervatin e Velipojës (700 ha, shtrihet në deltën e lumit Buna, rreth 8 km larg nga Velipoja, Ishulli i Franc Jozefit, Laguna e Vilunit, plazhi i Baks-Rrjollit.


Në verilindje të qytetit të Shkodrës, në të ashtuquajturën Zona e Mbishkodrës, ndodhet njësia administrative Postribë me një sipërfaqe rreth 180 km². Rreth 80% të sipërfaqes e zënë kodrat dhe malet, ndërsa vetëm rreth 20% shtrihet në zonën fushore.

7

Lartësitë ekstreme të Postribës janë maja e Cukalit me 1722 m dhe Lugina e Shtodrit 37 m mbi nivelin e detit. Lartësia mesatare e zonës është 575 metra mbi nivelin e detit. Postriba kufizohet në veri me njësinë administrative Pult, në veriperëndim me njësinë administrative Gruemirë të rrethit Malësi e Madhe, në jugperëndim me njësinë administrative Rrethina, në jug me Gurin e Zi, në lindje me njësinë administrative Shllak.

Malet e larta që shtrihen në dy anët e lumit Kir me luginën e thellë të këtij lumi formojnë atë që quhet kanion.

Në veri të njësisë administrative Postribë shtrihet njësia administrative Pult me një sipërfaqe rreth 122.90 km². Njësia administrative Pult kufizohet në veri me njësinë administrative Shalë dhe Malësi e Madhe, në jug me njësinë administrative Postribë dhe Shllak, në lindje me njësinë administrative Shosh, në perëndim me njësinë administrative Gruemire të rrethit Malësi e Madhe.Në kufi me njësinë administrative Pult, ndodhet njësia administrative Shosh, me një sipërfaqe rreth 95.24 km². Kjo njësikufizohet në veri me njësinë administrative Shalë, në jug me njësinë administrative Shllak dhe Temal në lindje me njësinë administrative Pult dhe në perëndim me Bashkinë Vau i Dejës dhe Tropojë.

Ndërsa në kufi me njësinë administrative Shosh ndodhet njësia administrative Shalë me një sipërfaqe prej 215.05 km². Njësia administrative Shalë kufizohet nëverime Kosoven, në jug me njësinë administrative Shosh dhe Lekbibaj të Tropojës, në lindje me Tropojën dhe në perëndim me njësinë administrative Pult dhe Malësinë e Madhe.Kjo njësi administrative përfshin Parkun Kombëtar të Thethit, si aseti natyror më tërheqës në Qarkun Shkodër dhe më gjerë.

9

Parku Kombëtar i Thethit.

Zona e Thethit ka një sipërfaqe prej 2.630 ha, nga të cilat 1.680 hektarë janë pyje dhe pjesa tjetër janë kullota dhe sipërfaqe shkëmbore. Thethi ndodhet rreth 70 km larg qytetit të Shkodrës, në pjesën veriore të Shalës. Ai ndodhet 740-950 metra mbi nivelin e detit dhe rrethohet nga Alpet Shqiptare, me një lartësi deri në 2.694 metra të malit Jezercë. Thethi ka rreth 70 burime ujore, me cilësi të lartë të ujit dhe të pastërtisë. Flora dhe fauna e zonës janë mjaft të pasura, me 1100 lloje bimësh, që përbëjnë gati 1/3 e specieve bimore në vend.

Gjithashtu Thethi është interesant për atraksionet e tij kulturore, siç janë ndërtimet e veçanta të quajtura "Kulla", karakteristike për zonat malore të Shqipërisë Veriore.

 
Sherbime dhe kontakte
Adresa

Rruga 13 Dhjetori, Nr. 1, Shkodër, Shqipëri

e-mail: info@bashkiashkoder.gov.al

Copyright 2014 - © Bashkia e Shkodrës