Kërko

Historia

Gjurmët më të hershme të veprimtarisë njerëzore të zbuluara në pellgun e Shkodrës i përkasin përiudhës së paleolitit të mesëm. Ky territor ka qënë i banuar nga fisi ilir i Labeateve, lundërtarë e tregtarë të zotë. Ishin shkëmbimet tregtare me zonat e tjera që u bënë shkak për themelimin e qytetit të Shkodrës. si një treg dhe vendbanim ilir. Shkodra ka qënë kryeqëndra e fisit ilir të labeatëve, të cilët i dhanë emrin liqenit (Palus Labeatis), si dhe selia e shumë mbretërve ilir, të cilët e shtrinë sundimin e tyre nga Friuli e deri në Ambraki. Që në shek IV p.k e filloi jetën qyteti ilir, i cili njihej në histori me emrin Scodra dhe që atëhërë nuk e nderroi kurrë emrin vet.

Në vitin 230 para Kr. ajo pret monedhën e saj në emër të bashkisë qytetare, e cila nga njëra anë mban mbishkrimin Skodreinon dhe nga ana tjetër një hëlmetë. Përveç kësaj, edhe monedhat e tjera të gjetura në Shkodër me kokën e Zeusit të Dodonës, tregojnë se në shek. II para Kr., Shkodra ishte përfshirë në sferën e qarkullimit të mallrave. Nga viti 181 deri në 168 para Kr. do të jetë kryeqëndra e mbretërisë ilire me mbret Gentin (Gentius – Rex – Illirico –rum). Pas vdekjes së mbretit Gent në 167 para Kr. në Iguvium të Italisë, Shkodra do të bëhej një qytet - koloni romake siç dëshmojnë Polibi, Tit Livi, Apiani dhe Plini. Me ndarjen e Perandorisë Romake hapsirat shqiptare u bënë pjesë e territoreve bizantine, administrimi i keq i tyre shuajti shpejt simpatinë e popullsisë vëndase ndaj Perandorisë. Në këtë përiudhë lindën qytete të reja si Sarda (Shurdhahu), Danesius (Danja) dhe Drivastum (Drishti).

Me vdekjen e perandorit Bizantin, Manuel Komnenit (1180), Shkodra dhe shumë qytete të tjera ranë nën sundimin serb. Qyteza e Shkodrës do të quhej Rozafë (1215), ndërkaq përmendet edhe një emër tjetër Ajasma. Me shkatërrimin e mbretërisë serbe, Shkodra do të drejtohej nga Balshajt (1360 – 1396). Nga viti 1396 deri në vitin 1479 Shkodra do të bjerë në duart e Venedikut. Mbas vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, i cili drejtoi rezistencën e popullit shqiptar ndaj pushtimit Osman, në vitin 1479 Sulltan Mehmeti II rrethon përsëri Shkodrën me mbi 100'000 ushtarë, si qyteti i fundit shqiptar i pa pushtuar. Mbrojtja vazhdoi mbi shtatë muaj nga një garnizon prej 1600 vetash i cili u dorëzua me kusht. Kjo qëndresë u përshkrua nga historiani i parë shqiptar dhe dëshmitar i kësaj ngjarjeje, shkodrani Marin Barleti. Libri i tij "Rrethimi i Shkodrës" u botua në Europë në vitin 1504.

Në shekullin XVIII bëhet qendër pashallëku nën sundimin e familjes vendase të Bushatlive. Më 1787, Mahmut Pasha i Bushatlive tentoi për herë të parë krijimin e një principate të pavarur shqiptare, që më vonë u shtyp nga perandoria osmane.

Në vitin 1718 në këtë qytet u hapën 6 konsullata të fuqive europiane dhe vendeve fqinje por edhe institucione të kohës, gjykatë, drejtori postale, dogane. Në vitin 1730 krijohet Dhoma e Tregtisë. Zhvillim të madh qyteti do të marrë në mesin e shek. XIX. Qyteti në këtë përiudhë numeronte rreth 50.000 banorë dhe 2500 dyqane në të cilat ushtroheshin 80 lloje zejesh dhe ishtë më i madhi në Ballkan. Shkodra në këtë përiudhë u konsolidua si një qëndër e rëndësishme arsimore, kulturore, fetare, si dhe një qendër mjaft aktive politike dhe patriotike.

Në vitin 1878 krijohet Lidhja e Prizrenit për mos copëtimin e trojeve të Shqipërisë. Shkodra bëhet një vatër e rëndësishme e lëvizjes kombëtare. Ushtritë e Shkodrës luftojnë për mbrojtjen e territoreve shqiptare të Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës, Ulqinit dhe Tivarit. Fillon kështu një periudhe trazirash për qytetin, që reflektohet në rënien e shpejtë të numrit të popullsisë.

Shkodranët morën pjesë aktive në luftën për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, duke luftuar me armë dhe duke nxjerrë figura të shquara udhëheqësish dhe njerëzish të pendës. Kryengritja e vitit 1911 në zonën e veriut tronditi pushtimin otoman në Shqipëri. Pas shpalljes së pavarsisë në vitin 1912, populli shkodran përballoi për shtatë muaj rrethimin e ushtrive të Malit te Zi dhe Serbisë, të cilat në luftën ballkanike që kishte nisur, donin të pushtonin qytetin dhe rajonin përreth tij. Pas fillimit të luftës së parë botërore Shkodra sulmohet nga ushtritë malazese të cilat më 1915 hyjnë në qytet. Në janar të 1916 pushtohet nga austriakët të cilët e bejnë Shkodrën qendër të zonës së tyre të pushtimit. Mbas Kongresit të Lushnjes, më 1920, qyteti administrohet nga qeveria shqiptare që doli nga ky kongres.

Në vitet 1924 deri më 1939 pati një zhvillim industrial me fabrika të vogla kryesisht në industrinë ushqimore dhe të çimentos. Në vitin 1939 kishte rreth 70 fabrika të tilla. Gjatë kësaj periudhe të monarkisë qyteti ka një administrim europian, me institucione të rregullta, dhe kryhen një varg reformash progresiste. Në vitin 1939 Shqipëria u pushtua nga ushtritë fashiste. Në vitin 1945 u vendos diktatura komuniste dhe qyteti vuajti për 45 vjet nga represioni që donte ta privonte qytetin nga prirjet e tij demokratike dhe kulturore, nga marrëdhëniet me botën dhe nga ekonomia e tij tradicionale. Intelektualet shkodrane dhe populli që i pasonte ishin ndër të parët ndoshta në gjithë Europën Lindore që filluan levizjet antikomuniste për liri dhe demokraci. Përiudha e diktaturës la pasoja të pa shlyeshme, nuk mund të harrohen jetët e pa fajshme të shumë shkodranëve, që u shuan në burgjet e diktatorit Hoxha. Megjithatë ishin shkodranët që dhanë sinjalet e para në Shqipëri për rrugën e re të demokracisë që në janar të vitit 1990. Pas këtyre viteve jeta qytetare mori dimensione të reja.

 
Sherbime dhe kontakte
Adresa

Rruga 13 Dhjetori, Nr. 1, Shkodër, Shqipëri

e-mail: info@bashkiashkoder.gov.al

Copyright 2014 - © Bashkia e Shkodrës