Kërko
Shpallje/Njoftime

Ftesë e hapur - Festivali i këngës qytetare "Luleborë"

06.06.2019

Bashkia Shkodër shpall ftesë të hapur për pjesëmarrje për kompozitorë të rinj dhe të afirmuar për FESTIVALIN E KËNGËS QYTETARE “LULEBORË”

Përshkrimi i projektit:
Prej tre vitesh në Shkodër organizohet “Festivali i këngës qytetare “Luleborë”, një traditë e kthyer pas rreth 30 vitesh mungesë.
Në kuadër të ruajtjes dhe zhvillimit të mëtejshëm të kësaj tradite, Bashkia Shkodër organizon edicionin e katërt të Festivalit të Kangës Qytetare “Luleborë”.
Festivali “Luleborë” ka si qëllim të risjellë tek publiku këngën qytetare, me motive shkodrane, duke i dhënë një dimension të ri asaj; duke nxitur profesionalizmin dhe nivelin e lartë artistik, përmes interpretimit “live” të çdo elementi të këtij festivali. Për rrjedhojë, krijimtaria artistike, muzika dhe fjalët, duhet t’i përshtaten kritereve të përcaktuara nga drejtuesit e këtij projekti, që do të jenë edhe njësitë matëse për vlerësimin paraprak të këngëve. Të gjitha materialet muzikore do të shqyrtohen nga një komision i posaçëm profesionistësh, të cilët do të zgjedhin këngët pjesëmarrëve në festival.
Festivali “Luleborë” do të zhvillohet në muajin tetor.
Juria e Festivalit do të jetë në nivelet më të larta profesionale, e përbërë nga emrat më të njohur të krijimit dhe interpretimit të muzikës.

Qëllimi i projektit:
Pasurimi i repertorit të muzikës qytetare;
Afrimi dhe aktivizimi i brezave të rinj me muzikën qytetare;
Rikthimi i vlerave të traditës.

Aplikimi:
Ftohen të gjithë kompozitorët e rinj dhe profesionistë të sjellin materialet muzikore tek Zyra me një Ndalesë (Z1N), në Bashkinë Shkodër, drejtuar Drejtorisë së Kulturës, Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Adresa: Rr. 13 dhjetori, nr.1, Shkodër.
DO TË PRANOHEN VETËM SUPORTET DIXHITALE COMPACT DISC.
Autorëve të këngëve, nuk i kërkohet domosdoshmërisht arranzhimi final, pasi ky proçes do të vijë pas fazës së parë të pranimeve. Kështu që, dorëzimet e materialeve muzikore janë të mundshme të dorëzohen në variantet:
a)Me arranzhim të përfunduar;
b)Në format Demo si p.sh Pianoforte + zë/ Kitarë + zë, apo me ndërhyrjen e ndonjë instrumenti të tretë solist.
Bashkëngjitur me CD, autorët duhet të dorëzojnë edhe partiturën në format të printuar, tekstin si dhe të kenë të përcaktuar këngëtarin/ët, apo grupin që do të intepretojë këngën.
Kriter kryesor është që këngët duhet të jenë krijime tërësisht të reja, të papublikuara më parë. Publikimi i tyre në çfarëdolloj forme para natës së parë të zhvillimit të Festivalit “Luleborë”, është automatikisht përjashtues nga pjesëmarrja në festival.
Data e fundit e dorëzimit të materialeve muzikore është 10 Gusht 2019.
Materialet muzikore do të kalojnë në fazën e parë të seleksionimit, ku një grup i përbërë nga profesionistë të sektorit të produksionit muzikor, do të marrin në shqyrtim këngët nga një këndvështrim i përgjithshëm (muzikë, tekst dhe cilësi vokale). Ky proçes përfundon me seleksionimin e këngëve që do të marrin pjesë në edicionin e katërt të Festivalit “Luleborë”.
Me datën 20 Gusht 2019, në mënyrë transparente, do të publikohen këngët fituese të fazës së parë seleksionuese, të cilat do t’i nënshtrohen proçesit të orkestrimit.
Afati i fundit i dorëzimit të orkestracioneve nga ana e autorëve, është data 1 Tetor 2019, të cilat do të dorëzohen tek grupi organizator, ose tek drejtori artistik.
Mosrespektimi i afateve të përcaktuara, është automatikisht përjashtues nga konkurimi.

Kritere për krijimin e këngëve
1.Autorëve të këngëve, kantautorëve si dhe poetëve, i kërkohet që në krijimet e tyre të jetë prezent të paktën një nga kriteret e rënditura më poshtë:
Kënga mund të ketë:
a)Intonacione muzikore të këngës qytetare shkodrane, përfshirë këtu Jaren Shkodrane, me tekst në dialektin Gegë, ose në gjuhën standarte;
b)Intonacione dhe ritme muzikore të lira me tekst në dialektin gegë;
2.Përveç kritereve të mësipërme, për të kompletuar sa më mirë krijimin muzikor, krijuesve ju sugjerohet që:
a)Janë të pranueshme këngët me poliritmika apo me gjuhë harmonike sipas dëshirës së krijuesit (duke plotësuar kërkesat e pikës 1);
b)Është i mirëpritur përdorimi i instrumentave tipikë që gjenden në muzikën qytetare shkodrane si: fizarmonika, violina, klarineta, flauti, në rolin e instrumentit solist;
c)Pranohen krijime këngësh për duete apo trio këngëtarësh, apo edhe të shoqëruar me kompleks.

Mosrespektimi i kritereve të përcaktuara, është automatikisht përjashtues nga konkurimi.
Performimi muzikor do të mbahet nën interpretimin “live” të “Orkestrës Luleborë”, e cila përbën edhe themelin e suksesit të Festivalit “Luleborë”.
Shkarko formularin e aplikimit.

 

 
Sherbime dhe kontakte
Adresa

Rruga 13 Dhjetori, Nr. 1, Shkodër, Shqipëri

e-mail: info@bashkiashkoder.gov.al

Copyright 2018 - © Bashkia e Shkodrës