Kërko
Shpallje/Njoftime

FTESË E HAPUR - “Panairi i promovimit të vlerave artistike – kulturore dhe i produkteve të territorit (për Nj.A Shosh)”

13.04.2018

Bashkia Shkodër shpall ftesë të hapur për organizimin e aktivitetit “Panairi i promovimit të vlerave artistike – kulturore dhe i produkteve të territorit (për NJ.A Shosh)”.

Përshkrimi i projektit:

Në veriperëndim të qytetit të Shkodrës, në të ashtuquajturën nënrajoni alpin ndodhet njësia administrative Shosh. Falë shtrirjes së tij gjeografike, resurseve natyrore, klimës dhe traditës, Shoshi ofron potenciale të mëdha për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të turizmit dhe agroturizmit. Bujqësia dhe produktet bujqësore përbëjnë aktivitetin më të rëndësishëm ekonomik për popullsinë vendase. Në zonë janë të pranishme shpella dhe rrëpira shkëmbore të shkallëzuara të njohura ndryshe si rrasat e Palajt. Ato kanë vlera shkencore gjeomorfologjike e gjeologjike, didaktike dhe turistike. Gjithashtu kjo zonë përveç bukurive natyrore mbart edhe një histori të lashtë, traditë dhe vlera të trashëguara me fanatizëm.

Në këtë kuadër është parashikuar organizimi i panairit të promovimit të vlerave kulturore, pasurive natyrore dhe produkteve tradicionale të njësisë administrative Shosh, me datë 08/06/2018. Aktiviteti konsiston në dy drejtime: organizimin e aktivitetit artistik të vlerave kulturore të zonave (promovimin e veshjeve tradicionale, këngë dhe valle të zonave) si dhe organizimin e panairit të produkteve të territorit (për njësinë administrative Shosh).

Qëllimi i projektit:

Ky projekt ka për qëllim promovimin e vlerave tradicionale të trashëgimisë kulturore dhe produkteve vendase të njësisë administrative Shosh, Bashkia Shkodër.

Koha e zhvillimit dhe shpalljes së fituesit :

Shpallja e Ftesës së Hapur bëhet më datë 1 3/04/2018 në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër www.bashkiashkoder.gov.al.

Data e fundit e aplikimeve 25/04/2018.

Këshilli Artistiko-Kulturor i Bashkisë Shkodër do të mblidhet me datën 30/04/2018.

Shpallja e fituesit do të bëhet me date 03/05/2018.

Fituesi do të njoftohet publikisht nga Bashkia Shkodër.

Kriteret që kërkohen për organizimin e këtij projekti:

  • Subjekti duhet të ketë eksperiencë në organizimin e eventeve të ngjashme;
  • Subjekti duhet të marrë përsipër aktivitetet artistiko-kulturore;
  • Subjekti duhet të përfshijë individ dhe grupe të rinjsh në këtë projekt.

Të drejtën për të aplikuar e kanë:

Çdo person fizik/juridik i regjistruar dhe që ushtron veprimtari në një nga fushat artistike, kulturore, sportive ose rinore.

Subjekti aplikues nuk duhet të këtë detyrime të papaguara vendore, detyrime të ngarkuara nga organet kompetente audituese apo detyrime të ngarkuara nga organe të tjera në favor të Bashkisë Shkodër. Mospërmbushja e këtij kriteri është shkak skualifikimi.

Nuk mund të aplikojnë:

Personat juridikë publikë që përfaqësojnë institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore, qëndrore ose vendore, që vetëfinancohen ose financohen nga buxheti i shtetit ose nga ente të tjera publike të miratuara me ligj.

Dorëzimi i dokumentacionit:

Aplikuesit duhet të dorëzojnë projektin dhe dokumentat e tjera të kërkuara tek Zyra me Një Ndalesë, pranë Bashkisë Shkodër, sipas kritereve të përcaktuara në formularin tip bashkëngjitur kësaj ftesë.

Fondi limit është 185.000 lekë.

Kriteret e kërkuara:

  1. Operatori që merr përsipër realizimin e aktivitetit, duhet të ketë eksperiencë të njohur në zhvillimin e aktiviteteve të kësaj natyre;
  2. Operatori duhet të ketë në CV-në e tij, arritje dhe suksese të vërtetueshme në evente të tilla;
  3. Vlerësohet cilësia e projektit;
  4. Në projekt duhet të parashikohet organizimi i një aktiviteti artistik të vlerave kulturore të njësisë administrative Shosh me veshjeve tradicionale, këngë dhe valle të zonës;
  5. Në projekt duhet të parashikohet organizimi i një panairi për produktet vendore të zonës zonës si produktet blegtorale dhe bujqësore, mjalti, frutat e pyllit, bimët medicinal, pijet dhe gatimet tradicionale, etj;
  6. Ky panair do të jetë i tipit të hapur për pjesëmarrësit dhe në të mund të përfshihen të rinj dhe profesionistë.

Specifikime të tjera:

  1. Programi artistik duhet të jetë i pasur me këngë, valle dhe veshje tradicionale të zonës;
  2. Përgatitja e një tavoline me gatimet tradicionale të zonës për 100 persona;
  3. Vizita turistike për njohjen e atraksioneve natyrore dhe historike të zonës;
  4. Sigurimi i logjistikës për mbarvajtjen e aktivitetit, (transport për 50 persona, nga Shkodra në Shosh dhe anasjelltas, materiale për dekorin e tavolinave të panairit, si mbulesa tavoline, pjata, gota, pirunj, etj.).
 
Sherbime dhe kontakte
Adresa

Rruga 13 Dhjetori, Nr. 1, Shkodër, Shqipëri

e-mail: info@bashkiashkoder.gov.al

Copyright 2018 - © Bashkia e Shkodrës